Më shumë se gjysma e territorit të Anglisë është në gjendje thatësire, pasi vendi po përballet me një nga periudhat më të thata të regjistruara ndonjëherë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit njoftoi se korriku është muaji më i thatë në histori, ndërsa reshjet kanë rënë në nivele rekord.
Sipas autoriteteve, një zonë e gjerë që përfshin Anglinë qendrore, lindore dhe jugore po përjeton një “thatësirë të papritur”, e cila është zhvilluar me shpejtësi për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.
Të dhënat tregojnë se reshjet kanë qenë vetëm 7% e nivelit normal për këtë periudhë të vitit, ndërsa në jug të Anglisë kanë arritur vetëm 1% të mesatares sezonale.
Në gjendje thatësire janë shpallur Anglia Lindore, Hertfordshire, Londra e Madhe, Lugina e Thames, Hampshire, Wye, Devon, Cornwall dhe Midlands Perëndimore. Edhe pjesa tjetër e vendit po përballet me kushte të zgjatura thatësire.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit paralajmëron se nivelet e lumenjve dhe përrenjve po bien ndjeshëm, fermerët po detyrohen të përshpejtojnë korrjet, rreziku i zjarreve është rritur dhe miliona banorë po kufizojnë konsumin e ujit.
Pas mbledhjes së komitetit, autoritetet u bënë thirrje kompanive të furnizimit me ujë të përshpejtojnë riparimin e rrjedhjeve në rrjet, në mënyrë që të reduktohen humbjet e ujit.
Anglia ka përjetuar tre valë të njëpasnjëshme të të nxehtit që nga muaji maj, ndërsa një valë e katërt është aktualisht në zhvillim.
Qershori ishte muaji më i nxehtë i regjistruar në Angli që prej vitit 1884. Temperaturat rekord detyruan mbylljen e disa shkollave dhe shkaktuan ndërprerje në transport. Rekordi më i lartë u regjistrua më 26 qershor në Lingwood, në lindje të Anglisë, ku termometri shënoi 38 gradë Celsius.


