Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Fauci hesht para Senatit/ Ish-kreu i infektivit amerikan refuzon të dëshmojë për origjinën e COVID-19

schedule19:56 - 29 Korrik, 2026

schedule 19:56 - 29 Korrik, 2026

Ish-drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive ,Anthony Fauci, refuzoi të dëshmojë për origjinën e pandemisë së COVID-19 gjatë një seance dëgjimore në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke u mbështetur në të drejtën kushtetuese të parashikuar nga Amendamenti i Pestë.

Fauci deklaroi se kishte vendosur të mos u përgjigjej pyetjeve me këshillën e avokatëve të tij, pasi kishte frikë se dëshmia e tij mund të përdorej nga ligjvënësit republikanë si bazë për një procedim penal për dëshmi të rreme.

“Edhe pse më vjen keq ta bëj këtë, për shkak të respektit që kam për pushtetin legjislativ, me këshillën e avokatëve të mi do të ushtroj të drejtën time sipas Amendamentit të Pestë për të mos iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, tha Fauci gjatë seancës.



Amendamenti i Pestë i Kushtetutës amerikane garanton që askush nuk mund të detyrohet të japë dëshmi kundër vetes në një çështje penale. Përdorimi i kësaj të drejte nuk përbën pranim faji, por synon të mbrojë individët nga vetëinkriminimi.

Seanca u zhvillua pak ditë pasi senatori republikan Rand Paul publikoi mbi 1.000 faqe shënimesh personale të Faucit nga periudha e pandemisë. Sipas Paul, këto dokumente bien ndesh me deklaratat publike të ish-zyrtarit lidhur me origjinën e virusit. Rand Paul pretendoi se Fauci kishte shprehur privatisht bindjen se virusi mund të kishte dalë nga një laborator, ndërsa publikisht kishte mbështetur teorinë e origjinës natyrore. Senatori ka qenë prej kohësh një mbështetës i teorisë se COVID-19 mund të ketë rrjedhur nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, Kinë.

Nga ana e tij, Fauci i hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se Paul ka një “obsesion të dukshëm” për ta ndjekur penalisht.  Në dokumentet e publikuara, Fauci shfaqet duke shqyrtuar në fillim të vitit 2020 dy hipoteza për origjinën e virusit: transmetimin natyror nga kafshët te njerëzit dhe mundësinë e një rrjedhjeje laboratorike. Megjithatë, në shënimet e mëvonshme ai shkruan se ishte “pothuajse i sigurt” se virusi kishte origjinë natyrore, ndërsa theksonte se mbante ende një mendje të hapur për mundësinë e rrjedhjes nga laboratori.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi në vitin 2025 se teoria e transmetimit natyror mbetet ajo që mbështetet më fort nga provat shkencore të disponueshme, por vlerësoi se përcaktimi përfundimtar i origjinës së virusit mbetet ende i papërfunduar për shkak të mungesës së të dhënave të plota.

Anthony Fauci drejtoi i InstitutiN Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive deri në  daljen e tij ne pension në vitin 2022 dhe ishte figura kryesore e përgjigjes amerikane ndaj pandemisë së COVID-19. Gjatë pandemisë ai u përball me kërcënime me vdekje dhe kritika të vazhdueshme nga republikanët për mbështetjen e kufizimeve shëndetësore dhe përdorimin e maskave.

Para largimit nga detyra, ish-presidenti Joe Biden i dha Faucit një falje paraprake presidenciale, duke theksuar se ajo nuk përbënte pranim të ndonjë shkeljeje apo faji, por synonte të mbronte zyrtarët publikë që kishin shërbyer gjatë pandemisë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!