Një tragjedi vërtet e madhe. Artan Pogoni, njëri nga emrat më të njohur të sportit shqiptar, veçanërisht i volejbollit, ka mbyllur sytë në moshën e parakohshme 54-vjeçare.
Ish-lojtari i Dinamos, që më pas punoi si trajner për disa dekada, dhe që ishte edhe pedagog e administrator sportiv, u shua në Vlorë, ndërsa po kalonte pushimet në plazhin e Radhimës.
Dyshohet se tragjedia ndodhi për shkak të një infarkti në zemër, nga i cili nuk mbijetoi dot edhe pse u dërgua në spitalin e Vlorës.
Pogoni luajti volejboll me Studentin dhe Dinamon, por që nga mosha 25-vjeçar iu përkushtua profesionit të trajnerit. Po ashtu, ai ishte pedagog universitar si dhe drejtues i sportit, përveçse edhe i angazhuar politikisht.
Ky emër i njohur i sportit tonë kishte gradën Doktor i Shkencave, me formim të gjerë akademik dhe me katër diploma universitare. Angazhimi kërkimor në fushat e stërvitjes, volejbollit dhe rekreacionit sportive, ndërsa ka 12 botime akademike dhe dy tekste mësimore.
Së fundmi, Pogoni, punoi si trajner i skuadrës së vajzave të Barleti Volejt, ndërsa më parë ka qenë trajner edhe i ekipit Kombëtar të Volejbollit për Femra./abcnews.al



