Kriza politike në Kosovë vijon të mbetet pa një zgjidhje, ndërsa polarizimi mes forcave politike po thellohet.
Njohësi i zhvillimeve politike, Dardan Krasniqi, në një intervistë për “Balkan Update” vlerëson se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe stabilitet, por mungesa e besimit po pengon arritjen e një kompromisi.
Sipas tij, përplasjet brenda dhe mes partive politike po e rëndojnë situatën, ndërsa mungon një vullnet i sinqertë për tejkalimin e krizës. Krasniqi shprehet pesimist se palët do të arrijnë një marrëveshje në të ardhmen e afërt.
“Është një polarizim ekstrem. Sot kur kemi shumë nevojë që vendi të ketë institucione dhe stabilizim, atëherë mosbesimi është shumë i madh. Unë besoj që arroganca ka një fund. Dhe në momentet e fundit të kemi një logjikë të kompromisit.
Deri tani nuk e kemi parë këtë dhe nuk jam optimist për më tutje. Janë dy pozicione të kundërta të LDK dhe të PDK. Në LDK kemi një luftë të brendshme. PDK ka bërë të qartë një qëndrim të tyre, i cili duket se ka ardhur pas diskutimeve që kanë bërë me Kurtin. Ka një luftë të madhe brenda partive. Më shumë bëhet beteja e vazhdueshme, sikurse dhe herët e tjera për të gjetur një fajtor për shkuarjen edhe një herë në zgjedhje, por nuk ka një zgjidhje të sinqertë për zgjidhjen e krizës politike”, tha Krasniqi.



