TIRANË- Analisti Martin Leka, i ftuar në emisionin “News Line”, u shpreh se opozita duhet të mbajë një qasje më reflektuese dhe më bashkëpunuese në raport me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, Partia Demokratike duhet të lërë mënjanë përplasjet politike dhe, të paktën për çështjen e integrimit, të mos e kushtëzojë qëndrimin e saj nga fakti se kush është në pushtet.
“Lidhur me procesin e integrimit, opozita duhet të jetë më reflektuese, më luajale dhe të jetë në sinkron me alternativat e veta. Mendoj se PD duhet të vetëreflektojë në këtë aspekt, të lëshojë pe dhe, për një çast, të heqë nga memoria e saj se kush është në krye të mazhorancës sot, për të punuar së bashku për integrimin e Shqipërisë. Asgjë nuk e ndalon rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian,” u shpreh Leka.
Ai theksoi se një qasje më bashkëpunuese e opozitës për procesin e integrimit do t’i shërbente jo vetëm interesit të vendit, por edhe vetë Partisë Demokratike.
“Opozita do t’i bënte mirë edhe vetes nëse do të ishte më bashkëpunuese në lidhje me integrimin drejt BE-së. Nëse PD është luajale për çështjet që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të fitojë më shumë vota dhe në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një mbështetje më të madhe se ajo që ka sot,” përfundoi analisti Martin Leka./abcnews.al



