Një 28-vjeçar është marrë me forcë dhe dhunuar nga tre persona, pas një konflikti për pagesën e qirasë së dy automjeteve. Ngjarja ka çuar në arrestimin e dy vëllezërve, administratorë të një subjekti, si dhe kushëririt të tyre.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, tre të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar me vetëgjyqësi, duke e marrë me forcë 28-vjeçarin në një automjet në një karburant në fshatin Derven, Krujë. Ata pretendohet se e kanë akuzuar atë se nuk kishte shlyer pagesat për dy automjete të marra me qira në subjektin që administronin dy vëllezërit.
Më pas, 28-vjeçari është transportuar me automjet drejt zonës së Shënkollit në Lezhë, ku dyshohet se është dhunuar dhe më pas është lënë në rrugë.
Pas kallëzimit të bërë nga babai i të riut, një 70-vjeçar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë reaguar me shpejtësi, duke identifikuar, lokalizuar dhe kapur brenda pak minutash tre autorët e dyshuar.
Të arrestuarit janë shtetasit 28 vjeç dhe 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëriri i tyre 22 vjeç.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se është përdorur për marrjen me forcë dhe transportimin e 28-vjeçarit nga Kruja drejt Lezhës.
I riu është dërguar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim.
/abcnews.al/



