Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Kinën për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke pretenduar se ekzistojnë “dobësi tronditëse” në sistemin amerikan të votimit.
Në një fjalim të mbajtur nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se kishte deklasifikuar qindra dokumente të inteligjencës, të cilat sipas tij dëshmojnë se Pekini ishte përpjekur të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve në favor të Joe Biden.
Megjithatë, presidenti nuk paraqiti prova që Kina të ketë manipuluar sistemet e votimit apo të ketë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor. Ndërkohë, komuniteti amerikan i inteligjencës ka vlerësuar më herët se Kina nuk ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Gjatë fjalimit, Trump pretendoi gjithashtu se Kina kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të rreth 220 milionë votuesve amerikanë dhe se informacionet në 18 shtete ishin “blerë, vjedhur ose hakuar”. Ai akuzoi personat që, sipas tij, kishin zbuluar këtë çështje se nuk kishin informuar autoritetet federale dhe Kongresin.
Në reagimin e saj, Ambasada e Kinës në Uashington i tha Reuters se Pekini “nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë kurrë në zgjedhjet presidenciale amerikane”.
Deklaratat e Trump u kundërshtuan edhe nga demokratët, të cilët e akuzuan atë se po përpiqet të minojë besimin e qytetarëve te zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, ku do të vendoset kontrolli i Kongresit.
Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se “në Amerikë janë votuesit që zgjedhin udhëheqësit e tyre, jo e kundërta”, ndërsa shtoi se demokratët do të mbrojnë të drejtën e çdo qytetari për të votuar lirshëm.
Edhe ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris reagoi përmes rrjetit social X, duke akuzuar Trump se po përpiqet të krijojë mosbesim ndaj sistemit zgjedhor për të dekurajuar pjesëmarrjen në votime.
Pretendimet e presidentit bien ndesh me raportin e Këshillit Kombëtar të Inteligjencës të publikuar në vitin 2021, ku thuhej se me “besim të lartë” ishte vlerësuar se Kina nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Në të njëjtin fjalim, Trump ngriti dyshime edhe mbi sigurinë e makinave të votimit, duke pretenduar se ato janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga Rusia, Kina dhe Irani. Ai foli gjithashtu për një hetim në shtetin e Michiganit mbi një skemë të dyshuar mashtrimi me regjistrimin e votuesve, si dhe pretendoi se Departamenti i Sigurisë Kombëtare kishte identifikuar 278 mijë persona pa shtetësi amerikane të regjistruar si votues.
Në përfundim, Trump përsëriti thirrjen për miratimin e projektligjit SAVE America Act, i cili parashikon kufizimin e votimit me postë, kërkon dëshmi të shtetësisë për regjistrimin e votuesve dhe identifikim me dokument zyrtar gjatë votimit. Projektligji vijon të mbetet i bllokuar në Senatin amerikan.



