Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Bota mban frymën për “luftën e Malvineve”/ Në Atlanta gjysmëfinalja e dytë e Botërorit, Angli-Argjentinë

schedule12:23 - 15 Korrik, 2026

schedule 12:23 - 15 Korrik, 2026

Do të jetë futboll, edhe pse e shohin si një luftë. Nuk mund të jetë ndryshe kur Anglia ndeshet me Argjentinën, ndonëse të dyja skuadrat do të përpiqen të mendojnë për Kupën e Botës kur të dalin në fushën e stadiumit të Atlantës sonte në orën 21:00.

Luhet gjysmëfinalja e dytë, dhe përcaktohet rivali I Spanjës në finalen e madhe.

“Tre luanët” cilësohen lehtësisht favoritë, për të përsëritur vitin 1966, dhe deri tani janë udhëhequr nga yje si Harri Kejn dhe Xhud Belingham.



Padyshim, një nga ekipet më të mirë të turneut, me pesë fitore e vetëm një barazim, dhe me beteja si ndaj Kongos, Meksikës dhe Norvegjisë.

Shpikësit e futbollit kanë vetëm një mungesë, mbrojtësin Konsa të pezulluar, ndërsa Saka pritet titullar, ashtu si Rajs dhe Risi Xhejms në krah të mbrojtjes.

Trajneri I Anglisë, Tomas Tuhel, natyrisht që veçon Lionel Mesin dhe ka superlativa për të, ndërsa shton se nuk dëshiron të mendojë për historinë, por vetëm për ndeshjen.

Sipas teknikut gjerman, çdo skuadër mund të mposhtet!

Edhe trajneri I Argjentinës, Lionel Skaloni, theksoi të njëjtën gjë, që nuk dëshiron të përziejë futbollin me politikën, pavarësisht se pohoi se ajo që ndodhi atëherë është diçka shumë e rëndë për vendin.

Gjithsesi, fjalët e njeriut të stolit sikur hidhen poshtë nga vetë sjellja e futbollistëve të tij.

Yjet argjentinas kënduan pikërisht këngë për ishujt Malvine, që në Angli njihen si Folklend, pas fitores dramatike 3-2 ndaj Egjiptit në këtë Botëror.

Kampionët e botës nuk kanë mungesa, por dhimbje koke për të zgjedhur formacionin dhe Skaloni mund të bëjë ndryshime pas lodhjes së jashtëzakonshme ndaj Kepit të Gjelbër, Egjiptit dhe Zvicrës.

Këto ndryshime ndoshta do të jenë në mbrojtje, ndërsa Mesi luan ndeshjen e parë përballë këtij rivali.

Gazetat në Angli dhe Argjentinë e kanë nisur duelin që më parë.

“Deili Ekspres” nga ishulli ia kushton kopertinën duelit: Me ulërimë ndaj tyre! Harri dhe Xhud udhëheqin Anglinë në provën për në finalen e Kupës së Botës!”

“Deili Telegraf” shkruan për planin e Anglisë për të ndaluar Mesin, me shpresën për t’u arritur finalja e dytë e Botërorit në histori!”

“Deili Star” bën dy herë lojë fjalësh: Tre Lionelës! Duket si Mesi, por është me Anglinë! Mos e provo me ne Argjentinë!”

Në Argjentinë, e përditshmja sportive “Ole” e ka kopertinën me dështimin e Francës dhe fitoren e Spanjës, ndërsa komenton duelin ndaj Anglisë: Kjo është ndeshja që të gjithë duam që ta fitojmë!”

Gazeta tjetër argjentinase, “Kronika” ka në kopertinë Maradonën dhe Mesin, dhe titullin: Si në ‘86! Sot në orën 16:00 vendi paralizohet, 46 milionë argjentinas ëndërrojnë një tjetër triumf ndaj Anglisë!”

Ja edhe “Hoi” nga Buenos Aires që gjithashtu ka foto të tifozëve me banderola të Maradonës dhe titull lakonik: Ndeshja e Shekullit!

Anglia ka epërsi në bilanc me 6 fitore, 6 barazime e vetëm tri humbje, dhe në kupat e botës po ashtu është në avantazh me 3 fitore e 2 humbje./abnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!