Partizani niset për fazë përgatitore në Turqi, ku do të qëndrojë 12 ditë dhe do të luajë dy ndeshje miqësore. Kapiteni Alban Hoxha nuk ishte i pranishëm në stërvitje, ndërsa nuk dihet cili do të jetë fati i njërit prej lojtarëve më të mirë, Esat Malës.
Nuk ka shumë kohë për të humbur dhe ai e di mirë. Partizani duhet të luftojë për titullin dhe trajneri ri Sormani e ka të qartë se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, ndaj edhe puna duhet të jetë intensive.
Italiani pati në dispozicion të gjithë skuadrën në stërvitjen e tij të parë, me përjashtim të dy lojtarëve, kapitenit Alban Hoxha dhe brazilianit Uilliam Kordeiro, të cilët kishin marrë leje nga klubi dhe do të bashkohet me shokët në Turqi.
Sormani ishte i kompletuar në ditën e parë në Shqipëri, duke pasur në krah Reinaldo Kalarin, ish-ndihmësin e Franko Lerdës, dhe njeriun që drejtoi skuadrën në ndeshjet e fundit të Superligës në dhjetor.
54-vjeçari ka gjithashtu ndihmësit e zgjedhur nga vetë ai, trajnerin e dytë Giovanni Mazzela, si dhe përgatitësin atletik Gabriele Façia. Përgatitësi atletik që ishte më parë, Corrado Sakone, me gjasë mund të kalojë sërish në Partizanin B.
Të kuqtë zhvillojnë vetëm një seancë stërvitore në Shqipëri, ndërsa nisen menjëherë për në Antalia, ku do të vazhdojnë minifazën përgatitore të dimrit. Klubi sqaron se skuadra do të qëndrojë në Turqi 12 ditë dhe përveç stërvitjeve do të ketë edhe dy ndeshje miqësore, ndaj turve të Trabzonsporit në 10 janar, dhe hungarezëve të Honvedit në 15.
Nuk dihet se cili do të jetë fati i futbollistit të pezulluar nga presidenti Demi, Esat Malës. Ai u stërvit sërish në mënyrë individuale, pasi skuadra e përfundoi seancën e saj, ndërsa pati një bisedë njohëse me Sormanin.
Italiani është i informuar që Mala është pezulluar nga klubi sepse refuzoi të rinovonte kontratën, ndërsa pritet që ose ai të transferohet tani në janar, kundrejt një përfitimi financiar, ose të largohet në qershor me parametër zero.
Një problem që vetë Sormani uron që të zgjidhet sa më shpejt dhe nëse do të jetë e mundur ta ketë Malën në skuadër. Italiani u largua i fundit nga kompleksi stërvitor në Pezë Helmës, i bindur se mund të ketë sukses, por edhe me kujtimet aspak pozitive të shkarkimit para kohe në vjeshtën e vitit 2016. /abcnews.al