Adela Kondakçiu, financierja në dosjen “Veliaj”, e cila ka statusin bashkëpunëtore e drejtësisë, dha konkluzionet përfundimtare përpara gjykatës, duke kundërshtuar kërkesën e SPAK për dënimin e saj me 7 vite burg.
Kondakçiu pretendoi për pafajësi, duke deklaruar përpara togave të zeza se ajo nuk ka bërë asgjë të kundërligjshme dhe se ka zbatuar urdhrat pa marrë përfitime.
Prokuroria e Posaçme tha se e akuzuara i ka qëndruar atyre që ka thënë më herët kur është marrë në pyetje, megjithatë u shpreh se janë pretendimet e saj.
Ndërsa mbrojtja ligjore e Kondakçiut u shpreh se roli i Kondakçiut ka qenë kryesisht teknik dhe jo vendimmarrës, për këtë arsye i kërkoi gjykatës që të mos konsiderojë përgjegjëse klienten e saj për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”. Avokati mbrojtës ka shtuar se Kondakçiu nuk ka asgjësuar dokumente apo të ketë penguar hetimin e SPAK.
“Ajo nuk ka pasur dijeni të plotë për natyrën e fondeve financiare apo materiale që lëviznin nga njëri subjekt tek tjetri, pasi ajo nuk ka qenë në drejtim operativ, por thjesht nga zyra pasqyronte të dhëna dhe faturonte shitje dhe blerje shërbimesh pa ndonjë njohje se si zhvilloheshin ngjarjet në terren, pasi, siç mund të kuptohet nga pozicioni si financiere, ka qenë në një rol periferik dhe të gjitha veprimet kontabël, faturat e shitjes dhe blerjes së shërbimeve urdhëroheshin nga menaxherët dhe pronarja Ajola Xoxa.”- tha ai
Për Kondakçiun, prokurorët e posaçëm kërkuan dënimin e saj me 7 vite, dënim që të reduktohej në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Organi i akuzës i kërkoi gjykatës që e pandehura të përjashtohet nga dënimi për shkak të statusit të bashkëpunëtores së drejtësisë.
Në seancën e radhës, të 23 korrikut, do të lexohen konkluzionet përfundimtare të të pandehurve të tjerë. Kondakçiu po gjykohet me procedurë të shkurtuar bashkë me disa të pandehur të tjerë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, disa të pandehur dhe shoqëri, po gjykohen të veçuar me procedurë të zakonshme./abcnews.al



