VLORË- Pak orë para nisjes se një tjetër proteste poshtë zyrës se tij në tiranë, nga Jala në takim me të rinjtë, kryeministri Edi Rama pati një mesazh të parë direkt për homologun e tij kosovar.
Njerëzit e vetëvendosjes dhe drejtues të saj, nuk e kanë fshehur as nxitjen dhe as pjesëmarrjen në protestat disa javore. Edi Rama ishte i qartë. Ai nuk do të bënte kurrë të njëjtën gjë.
“Unë qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe, nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet, Kosova ka institucionet e veta. Ka qenë një kohë ku i tregohej Kosovës çfarë duhet të bënte, kanë qenë vite brutale që kanë sjellë vetëm dëme”, tha Rama.
Rama u ndal edhe tek protesta e ditëve të fundit. Sipas kryeministrit projekti i Zvërnecit u harrua, pasi protestuesit kuptuan që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit.
“Realiteti është krejt i kundërt. Aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe administratore e pronës publike, jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por edhe tani që flasim, për shkak se qeveria ka pasur një pozicion të qartë në negociata me palën tjetër, që Shqipëria duhet të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje, ne nuk kemi ende një marrëveshje”, theksoi ai.
Rama u ndal edhe te ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale, duke thënë se ato kanë përhapur përmbajtje të manipuluara që, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin e vendit dhe sektorin e turizmit.
“Algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit. Kemi pasur anulime pafund, janë goditur shqiptarët, puna e njerëzve të punësuar në këtë sektor, goditur të ardhurat”, pohoi ai.
Edi Rama ju kthye dhe njëherë raportit të tij me Albin Kurtin. Por duke deklaruar për herë të parë, se politikën si art publik, nuk e ushtrojnë njëlloj.
“Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme”, theksoi kryeministri./abcnews.al



