Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

BE i kërkon Meta të ndryshojë funksionet e varësisë së Facebook dhe Instagram

schedule14:02 - 10 Korrik, 2026

schedule 14:02 - 10 Korrik, 2026

Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj kompanisë Meta, duke i kërkuar të ndryshojë disa funksione të Facebookut  dhe Instagramit që, sipas Komisionit Evropian, nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe mund të krijojnë varësi, veçanërisht tek të miturit dhe përdoruesit më të cenueshëm.

Brukseli vlerëson se Meta nuk ka analizuar dhe kufizuar siç duhet rreziqet që lidhen me funksione si rrjedha e pafund e postimeve, rekomandimet shumë të personalizuara dhe nisja automatike e videove.

Sipas Komisionit, këto mekanizma janë krijuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë në platformë, duke rritur të ardhurat nga reklamat. Komisioni Evropian thekson se këto veçori e shtyjnë përdoruesin të vazhdojë të lëvizë pa ndërprerje në përmbajtje, duke e futur trurin në një lloj “pilotimi automatik”, gjë që mund të çojë në zakone të dëmshme dhe sjellje kompulsive gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.



Autoritetet evropiane kanë ngritur gjithashtu shqetësime për kontrollet prindërore në Facebook dhe Instagram, duke i konsideruar ato tepër të ndërlikuara, si edhe për mjetet që kufizojnë kohën e përdorimit të adoleshentëve, të cilat sipas tyre nuk janë mjaftueshëm efektive.

Meta i ka kundërshtuar këto përfundime paraprake. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se vlerësimi i Komisionit nuk merr parasysh masat e rëndësishme që janë ndërmarrë për mbrojtjen e të rinjve.

Kompania theksoi se llogaritë e posaçme për adoleshentët, të prezantuara dy vjet më parë, u japin prindërve mundësinë të bllokojnë përdorimin e Instagramit gjatë natës dhe të kufizojnë kohën ditore të ekranit.

Këto konkluzione paraprake janë pjesë e hetimit të nisur nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2024, ku Meta dyshohet se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të miturit në internet.

Nëse kompania nuk zbaton kërkesat e BE-së dhe konstatohen shkelje të rregullave, ajo mund të përballet me gjoba shumë të larta.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!