I njohur për memet dhe videot kreative që pushtuan rrjetet sociale, Meriton Rama zbulon historinë e panjohur pas suksesit të tij dhe prezanton “Tokë”, projektin që shënon nisjen e karrierës së tij muzikore.
Për miliona përdorues të rrjeteve sociale, Meriton Rama është djali që i bëri memet të këndonin. Me videot e tij origjinale, ku ndërthur humorin, ukulelen dhe muzikën, ai është kthyer në një nga personazhet më të ndjekur në TikTok. Por pas viralitetit fshihet një histori shumë më e thellë – ajo e një artisti që prej vitesh ka ndjekur në heshtje ëndrrën e tij më të madhe.
I ftuar në studion e ABC-së së Mëngjesit, Meriton Rama rrëfen se muzika ka qenë pjesë e jetës së tij shumë përpara famës në internet.
“Shumë njerëz më njohin nga TikTok, por pak e dinë se gjithçka nisi nga pasioni im për muzikën. Fillimisht postoja fragmente të këngëve që shkruaja në dhomën time dhe cover-a të artistëve të ndryshëm. TikTok-u ishte thjesht mënyra më e mirë për ta ndarë muzikën me të tjerët”, shprehet ai.
Më pas lindi ideja që do t’i ndryshonte rrugëtimin. Ai nisi të krijonte “duete” me ukulele mbi meme, video virale dhe situata krejt të papritura. Eksperimenti rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm dhe e bëri menjëherë të dallueshëm në rrjetet sociale.
Por bashkë me famën erdhën edhe komentet negative.
“Në fillim më prekën. Askush nuk mësohet lehtë me paragjykimet dhe ofendimet. Pastaj vendosa të bëja diçka ndryshe: komentet ‘hate’ që rimonin i ktheva në këngë. Ishte mënyra ime për t’iu përgjigjur me humor dhe muzikë.”
Edhe ky koncept u bë viral, duke e ndihmuar të krijojë një identitet krejt të veçantë në rrjetet sociale. Sot, videot e tij kanë kaluar 22 milionë shikime dhe janë parë nga më shumë se 16 milionë llogari.
Megjithatë, Meritoni thotë se rrjetet sociale nuk kanë qenë kurrë destinacioni i tij final.
“Që në moshën 14-vjeçare kam shkruar dhe kompozuar vazhdimisht me ukulele dhe piano. Sot kam rreth 130 këngë të përfunduara. TikTok-u nuk ishte qëllimi im, por rruga që më afroi me ëndrrën time.”
Tashmë ajo ëndërr po merr formë me projektin e tij debutues, “Tokë”, këngë që, sipas tij, ka qenë në sirtar prej kohësh dhe që shënon fillimin e një kapitulli të ri në karrierën artistike.
Teksti dhe muzika janë krijuar nga vetë Meriton Rama, ndërsa realizimi i këngës ka zgjatur rreth dy muaj, pasi ai dëshironte që çdo tingull dhe çdo emocion të ishte në vendin e duhur.
Po aq i kuruar është edhe videoklipi.
“Edhe konceptin e videoklipit e kam krijuar vetë. Historia e tij lindi bashkë me këngën. Xhirimet zgjatën rreth një muaj, sepse doja që publiku të hynte në një botë që ngjan me një ëndërr treminutëshe. Në fund gjithçka lidhet me historinë dhe mesazhin e këngës.”
Sipas tij, “Tokë” është një këngë me tekst metaforik dhe emocional, ndaj edhe ana vizuale duhej ta pasqyronte të njëjtën frymë artistike.
Artisti e cilëson këtë periudhë si një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij profesionale, pasi për herë të parë publiku po njeh jo vetëm personazhin viral të rrjeteve sociale, por edhe muzikantin që ka punuar prej vitesh larg vëmendjes.
“Kam fatin të kem një ekip që beson te vizioni im dhe më mbështet në çdo hap. Synimi ynë është të sjellim projekte origjinale, me histori, me emocion dhe me një identitet ndryshe në skenën shqiptare.”
Për Meriton Ramën, miliona shikimet në rrjetet sociale janë vetëm fillimi. Ajo që dëshiron të mbetet në kujtesën e publikut nuk janë memet apo videot virale, por muzika që ka krijuar prej vitesh me pasion.
“Viraliteti ishte vetëm fillimi. Ajo që dua të mbetet në fund është muzika.”



