Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Tre breza, një violinë! Historia e familjes shqiptare ku muzika trashëgohet brez pas brezi

schedule11:26 - 23 Korrik, 2026

schedule 11:26 - 23 Korrik, 2026

Për familjen Kapllani nga Vlora, violina nuk është thjesht një instrument muzikor. Është një trashëgimi, një identitet dhe një lidhje e fortë që ka kaluar nga gjyshi te djali e sot te nipi. Një histori e rrallë, ku çdo brez vazhdon të mbajë gjallë të njëjtin pasion.

Gjithçka nisi me Fatmir Kapllanin, violinistin që hodhi themelet e kësaj tradite artistike. Me violinën në duar ai frymëzoi të birin, Albano Kapllanin, i cili ndoqi të njëjtën rrugë dhe sot është violinist e pedagog. Pasioni nuk u ndal me kaq.

Sot, në moshën vetëm 7-vjeçare, Alan Kapllani përfaqëson brezin e tretë të violinistëve të familjes. Edhe pse ka përfunduar vetëm klasën e parë në Shkollën e Muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë, ai ka arritur të spikasë me talentin dhe përkushtimin e tij, duke fituar Çmimin e Parë në konkursin ndërkombëtar “Tirana Talent 2026”.



Historia e suksesit në familjen Kapllani nuk është e vetmja. Edhe motra e Alanit nisi violinën në moshën 5-vjeçare dhe, vetëm 10 vjeçe, fitoi Çmimin e Dytë në konkursin ndërkombëtar në Barletta të Italisë, duke dëshmuar se dashuria për muzikën është bërë pjesë e ADN-së artistike të familjes.

Viti i kaluar solli një humbje të madhe për familjen me ndarjen nga jeta të Fatmir Kapllanit. Megjithatë, trashëgimia e tij vazhdon të jetojë. Sot, Alani interpreton në Ansamblin e Kamerës, pikërisht në vendin që dikur mbante gjyshi i tij, i shoqëruar në skenë nga i ati. Një moment simbolik që lidh tre breza me të njëjtën violinë dhe të njëjtën dashuri për artin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!