Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi sot për “pasoja katastrofike” për paqen globale, ndërsa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohen. Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të rifillojnë urgjentisht negociatat”.
Sipas zëdhënësit të tij, Stéphane Dujarric, Guterres është “thellësisht i shqetësuar” për përshkallëzimin e ri të luftimeve në rajonin e Gjirit Persik, duke vlerësuar se situata rrezikon të minojë përparimin diplomatik të arritur mes Teheranit dhe Uashingtonit.
“Nëse rikthehen armiqësitë në shkallë të plotë, pasojat do të jenë katastrofike, për popujt e rajonit, për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si edhe për ekonominë globale”, thuhet në deklaratën e lexuar nga Dujarric.
Guterres u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të rikthehen në tryezën e bisedimeve dhe të zgjidhin çështjet e mbetura përmes diplomacisë, theksohet në deklaratë.



