Ishte vetëm 16 vjeçe kur u shfaq në ekranin e madh dhe u kthye në një nga fytyrat më të bukura e më premtuese të kinemasë shqiptare. Publiku e kujton si aktoren e filmit “Eja!”, por pas buzëqeshjes së vajzës së re fshihej një rrugëtim i mbushur me sfida, guxim dhe transformime të mëdha.
Marjetina Gjoni është një artiste që ka jetuar dy epoka krejtësisht të ndryshme: diktaturën dhe lirinë. Ajo u rrit në një sistem të mbyllur, përjetoi ndryshimet e mëdha të tranzicionit dhe ndërtoi jetën e saj mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke mos reshtur kurrë së krijuari.
Që në fëmijëri ishte ndryshe. Ndërsa bashkëmoshatarët luanin, ajo ëndërronte skenën, mikrofonin dhe artin. Hapat e parë i hodhi në Radio Tirana, ku nisi të prezantonte emisione për fëmijë, për të kuptuar shumë shpejt se arti nuk ishte një dëshirë kalimtare, por misioni i jetës së saj.
Vetëm 16 vjeçe vuri në skenë komedinë “Kopraci” të Molierit dhe fitoi çmimin e parë në rang republike. Në të njëjtën moshë hyri edhe në botën e filmit me “Eja!”, nën regjinë e Piro Milkanit, ndërsa pak vite më vonë interpretoi në filmin “Fletë të Bardha”, duke ndarë ekranin me emra të mëdhenj të artit shqiptar.
Edhe pse filmografia e saj nuk është e gjatë, dy filmat mbetën vulë e një brezi dhe e një ëndrre që vazhdon të jetojë edhe sot në kujtesën e publikut.
Pas ndryshimeve të viteve ’90, Marjetina nuk u ndal. Organizoi sfilatën e parë të modës në Shqipëri, regjizoi spektakle “Miss”, projekte artistike dhe shfaqje teatrore, duke besuar gjithmonë se arti duhet të japë shpresë dhe optimizëm.
Një tjetër pasion i madh u bë piktura. Në telajot e saj shpërthejnë ngjyra të forta, kontraste dhe emocione, një mënyrë për të treguar gjithçka që fjalët nuk arrijnë ta shprehin.
Por jeta nuk i dhuroi vetëm duartrokitje. Ajo kaloi dy martesa të dështuara dhe rriti e vetme tre vajzat e saj, duke qenë njëkohësisht nënë dhe baba. Sot ato janë krenaria më e madhe e jetës së saj.
Prej vitit 2007 jeton jashtë Shqipërisë, ndërsa pesë vitet e fundit në Teksas të SHBA-së, ku vazhdon të krijojë dhe të jetojë me të njëjtin pasion që e ka shoqëruar gjithmonë.
Megjithatë, sfida më e madhe nuk ishte largimi nga vendlindja dhe as ndryshimet e jetës. Ishte përballja me lupusin, një sëmundje autoimune agresive që iu diagnostikua me vonesë dhe i preku kockat, lëkurën, aparatin tretës dhe sistemin nervor.
Sot dielli, që dikur ishte burim energjie, është kthyer në armikun e saj. Ka ditë kur trupi i kërkon të ndalet, por ajo zgjedh të luftojë. Duke kthyer kokën pas, kupton se organizmi i kishte dhënë sinjale shumë kohë më parë, por askush nuk e kishte zbuluar shkakun e tyre.
Marjetina Gjoni vjen në këtë rrëfim ekskluziv për të folur pa filtra për suksesin, sakrificat, kinemanë shqiptare, jetën në Amerikë, betejën me sëmundjen dhe forcën që nuk e ka braktisur kurrë.



