Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg Aurona Pelajn, e akuzuar për dhunën ndaj një të moshuare në një shtëpi të kujdesit në Pejë, ngjarje që ndodhi në vitin 2022, kur ajo ushtronte detyrën si infermiere.
Sipas vendimit të gjykatës, Pelaj u shpall fajtore për veprën penale të sulmit ndaj një gruaje të moshuar, e diagnostikuar me Alzheimer dhe e vendosur në institucion për përkujdesje.
Gjyqtari Alan Taranis tha se e pandehura, duke qenë në detyrë si infermiere dhe e vetëdijshme për gjendjen e pambrojtur të viktimës, e kapi atë nga të dyja duart, ia kufizoi mundësinë e mbrojtjes, e mbështeti pas muri dhe e goditi disa herë me shuplakë në fytyrë.
Gjykata vendosi dënimin me 2 vjet e 3 muaj burg, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga 2 deri më 24 nëntor 2022.
Pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Përveç dënimit me burg, ndaj Aurona Pelajt është njoftuar edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për një periudhë prej pesë vjetësh, afat që fillon nga dita kur vendimi të bëhet i formës së prerë.



