Pas një dekade suksesesh në Shtetet e Bashkuara dhe tre sezonesh të shkëlqyera në Shqipëri me ekipin e vajzave të Skënderbeut dhe Dinamos, trajneri shqiptar i volejbollit Orlando Koja është rikthyer në Itali. Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin Volano Volley, ku do të drejtojë ekipin e parë të femrave në kampionatin italian të Serie B1.
Ky rikthim shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e trajnerit shqiptar, i cili më herët ka lënë gjurmë në Itali duke siguruar ngjitjen e skuadrës në Serinë A2 në vitin 2014.
Pas këtij suksesi, Koja ishte i ftuar në studion e ABC-së, ku rrëfeu historinë e një jete të lidhur ngushtë me volejbollin. I lindur në një familje me traditë sportive, ai u frymëzua që fëmijë nga babai i tij, Vangjel Koja, një nga emrat më të njohur të volejbollit shqiptar.
Kontakti i parë me parketin nisi kur ishte vetëm 5-6 vjeç, duke ndjekur nga afër stërvitjet dhe ndeshjet e të atit. Megjithatë, ai tregon se rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë, pasi iu desh të provonte vazhdimisht se vlerat e tij nuk ishin vetëm pasojë e mbiemrit që mbante. Karrierën e nisi në klasat sportive të shkollës “Fan Noli”, nën drejtimin e trajnerit Ylli Shehu, ndërsa në moshën 16-vjeçare u bë pjesë e ekipit të parë të Dinamos, me të cilin fitoi disa tituj kampionë.
Në vitin 1990 mori vendimin e madh për t’u larguar drejt Italisë, ku luajti në nivelet më të larta dhe arriti të fitonte edhe Kupën e Italisë. Më pas, rrugëtimi e çoi në Shtetet e Bashkuara, ku si drejtor sportiv i klubit “Forza 1” fitoi medalje të arta dhe trofe në turne prestigjiozë, mes tyre edhe në Las Vegas. Tre vitet e fundit ai drejtoi me sukses ekipin e vajzave të Skënderbeut në Korçë, duke fituar më shumë se 10 trofe dhe duke rikthyer skuadrën në elitën e volejbollit shqiptar.
Koja nuk fsheh shqetësimin për mungesën e një strukture të mirëfilltë për zhvillimin e moshave në Shqipëri, por mbetet optimist për të ardhmen. Tradita sportive e familjes vazhdon edhe me dy djemtë e tij, të cilët luajnë në nivele të larta, njëri me Prishtinën dhe tjetri me Studentin. Për Orlando Kojën, suksesi nuk matet vetëm me kupat dhe medaljet, por me punën, përkushtimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Tashmë, me rikthimin në Itali, një tjetër sfidë e madhe e pret trajnerin shqiptar në një nga kampionatet më konkurruese të volejbollit evropian.



