U deshën 40 vjet për të lënë pas “Dorën e Zotit”.
Natyrisht, edhe golin më të bukur në historinë e Botërorëve, sepse Anglia ia doli pikërisht në stadiumin “Azteka”, aty ku Diego Armando Maradona realizoi dy rrjetat më të veçanta të kupave të botës në 1986.
Edhe këtë herë ishte dramë, madje madhështore, dhe “tre luanët” luftuan vërtet si luanë për të fituar 3-2 në “gojën e ujkut”, pra ndaj Meksikës vendase në stadiumin e saj kombëtar.
Ishin plot 80 824 spektatorë në tribuna, shumica dërrmues meksikanë, por Anglia e trajnerit gjerman, Tomas Tuhel, nuk deshi t’ia dinte.
Pas 30 minutave të varfra fillestare, ndeshja u ndez, dhe Xhud Belingham shënoi dy herë për shpikësit e futbollit në më pak se 100 sekonda, e u duk se historia në “Azteka” përfundoi.
E kundërta doli e vërtetë.
Meksikanët, të ndihmuar sado pak nga disa vendime të arbitrit australian Alireza Fagani, që sikur nuk pa faullat ndaj anglezëve, u kthyen në lojë.
Goli për 1-2 ishte shumë I bukur, shënuar nga Kinjones në 42’.
Vendasit morën krahë dhe u ndalën nga dy mrekulli të portierit Pikford dhe një ndërhyrje e Belinghamit.
Dramaticiteti arriti kulmin pas pushimit.
Fillimisht, në 54’, Anglia mbeti me 10 vetë pasi mbrojtësi Konza u përjashtua me të kuq për ndërhyrje të rrezikshme.
Më pas Gordon fitoi penallti, dhe Harri Kejn nuk gaboi në 60’.
Kaluan 7’ dhe arbitri Fagani dha penallti për vendasit, pasi Kejn goditi Gutierrezin.
Raul Himenez nuk gaboi në 69’ dhe ndeshja u rihap sërish.
Gjithsesi, edhe pse në inferiotet për 48 minuta, ishullorët u mbajtën.
Anglia ia doli aty ku ishte më e vështirë, në “Azteka” që kishte provuar vetëm dy humbje në 89 ndeshje zyrtare të Meksikësq ë kur stadiumi u hap në 1966.
Diti të vuajë, një mentalitet dhe përvojë krijuar nga fakti se këta 8 vjet ka arritur thuajse gjithmonë në finale apo në gjysmëfinale të turneve të mëdhenj.
Tashmë, të shtunën e 11 korrikut, anglezët përballen në çerekfinale me Norvegjinë në Majemi.



