Sporti shqiptar ka një tjetër arsye për t’u krenuar. Kampioni i Europës në kickboks, Eri Lala, ka shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke fituar dy tituj të rëndësishëm ndërkombëtarë. Sportisti durrsak me origjinë nga Burreli dominoi përballjen e zhvilluar në “Westchester County Center” në New York, ku fitoi titullin Internacional dhe brezin GAMA USA.
Përballë kundërshtarit vendas, Lala zhvilloi një ndeshje spektakolare, duke dominuar të pesë raundet dhe duke e rrëzuar tre herë me nokdaun. Performanca e tij ngriti në këmbë publikun në sallë dhe mbushi me krenari shqiptarët kudo në botë, ndërsa shumë prej tyre qëndruan zgjuar deri në orët e para të mëngjesit për ta ndjekur live.
I ftuar në studion e ABC-së së bashku me trajnerin e tij, Leli Gega, kampioni tregoi se rrugëtimi drejt suksesit nisi krejt rastësisht. Vetëm 9 vjeç, ai u dërgua nga babai në një palestër boksi, ndërsa frymëzimin e gjeti tek sportistët më të mëdhenj që stërviteshin aty.
Edhe pse sporti zë një pjesë të madhe të jetës së tij, Eri Lala nuk ka lënë pas dore as shkollën. Ai synon që në të ardhmen të ndërtojë edhe një karrierë si jurist, duke e kombinuar arsimin me pasionin për sportin. Viti 2025 shënoi një tjetër moment historik në karrierën e tij, kur u shpall kampion i Europës në kickboks. Në Zvicër ai mposhti çeçenin Ashrab Kuraev në kategorinë 65 kilogramë, duke fituar brezin e organizatës ICF dhe duke u konfirmuar si një nga talentet më premtues të këtij sporti.
Por ambiciet e kampionit shqiptar nuk ndalen këtu. Pas triumfit në SHBA, Eri Lala synon të marrë pjesë në kompeticione edhe më të rëndësishme ndërkombëtare, me objektivin madhor për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Botëror dhe për të sjellë të tjerë tituj në vend./abcnews.al



