Policia Kufitare në Sarandë ka intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit në zonat turistike.
Gjatë patrullimeve të kryera në Gjirin e Sarandës dhe në Gjirin e Ksamilit, shërbimet e Policisë konstatuan dy mjete lundruese tip Jet Ski që kishin hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zona të përcaktuara për pushuesit që laheshin në det, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e tyre.
Në të dy rastet, drejtuesit e mjeteve lundruese, shtetasit R. A. dhe R. P., kanë shkelur rregullat e lundrimit duke mos respektuar kufizimet e vendosura në këto hapësira bregdetare.
Pas ndërhyrjes së Policisë Kufitare, të dy Jet Ski-t u shoqëruan dhe u bllokuan në Portin e Sarandës. Ndaj drejtuesve të tyre u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 500.000 lekë të rinj secili.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë në këto zona turistike që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, për të shmangur rreziqet për pushuesit gjatë sezonit veror.
/abcnews.al/



