Zjarri që përfshiu mbrëmjen e kaluar malin e Shëngjinit para hyrjes per ne qytet vijoi edhe gjatë ditës së sotme, duke kërkuar angazhim të madh të forcave zjarrfikëse dhe ndërhyrje nga ajri.
Dhjetëra efektivë dhe 6 mjete zjarrfikëse punuan gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll flakët, të cilat u favorizuan nga era e fortë, duke vështirësuar operacionin. Falë ndërhyrjes intensive, situata paraqitet drejt përmirësimit. Paraditen e sotme janë identifikuar vetëm disa vatra të izoluara, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë malor ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri për neutralizimin e plotë të tyre.
Fatmirësisht, nuk raportohen dëme në banesa apo biznese, ndërkohë, qarkullimi në aksin Lezhë Shëngjin vijon normalisht, pa krijuar pengesa për pushuesit. Në lidhje me shkaqet e zjarrit, burime bëjnë me dije se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Policia ka ndaluar një person si të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



