Boksieri profesionist Ardian Krasniqi ka shkruar një tjetër kapitull të artë në karrierën e tij, duke u shpallur kampion Europe dhe duke mbrojtur me sukses titullin WBO Intercontinental.
Pas një dueli spektakolar prej 12 raundesh ndaj kroatit Vinko Zadro, shqiptari ruajti bilancin perfekt në ring me 13 fitore në po aq ndeshje, duke konfirmuar statusin e tij si një nga emrat më premtues të boksit evropian.
Në një lidhje direkte, Krasniqi rrëfeu emocionet e natës së triumfit, duke e cilësuar atë si një fitore që i përket të gjithë shqiptarëve.
“Ajo natë ishte për të gjithë shqiptarët. Kisha një miks emocionesh, sepse jo vetëm u shpalla kampion Europe, por mbrojta edhe me sukses titullin tim WBO Intercontinental. Ishte një ndeshje shumë e fortë në kategorinë gjysmë të rëndë dhe përballë kisha një kundërshtar shumë të fortë si kroati Vinko Zadro,” u shpreh ai.
Boksieri falënderoi të gjithë tifozët që e mbështetën gjatë gjithë rrugëtimit, duke theksuar se energjia dhe besimi i tyre i dhanë forcë në momentet më të vështira të ndeshjes.
“Faleminderoj nga zemra të gjithë tifozët që besuan tek unë dhe më dhanë forcë. Mbështetja e tyre ishte e jashtëzakonshme.”
Një pjesë të veçantë të fjalës së tij, kampioni ia kushtoi familjes, duke emocionuar me falënderimin për babain e tij, Agim Krasniqin.
“Një falënderim i veçantë shkon për babain tim, Agimin. Ai sakrifikoi gjithçka që unë të jem sot këtu ku jam. Ky sukses mban edhe emrin e tij.”
Po aq mirënjohës u shpreh edhe për xhaxhain e tij, Luan Krasniqin, ish-boksierin e njohur, të cilin e konsideron njeriun që i hapi rrugën drejt këtij sporti.
“Faleminderit xhaxhait tim, Luanit, sepse gjithçka filloi prej tij. Ai është arsyeja pse hyra në këtë rrugëtim dhe pse sot jetoj këtë ëndërr.”
Pas këtij triumfi, Ardian Krasniqi e sheh horizontin edhe më të madh. Ai theksoi se rruga drejt titullit kampion bote është tashmë e hapur dhe se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për karrierën e tij. Me 13 fitore në 13 ndeshje dhe me një titull evropian në brez, boksieri shqiptar është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës së madhe: ngjitjes në majën e boksit botëror.



