Rrethimi i dytë i Parlamentit rezultoi me pak njerëz, por më i dhunshëm. Tre policë mbetën të plagosur nga sendet e hedhura, ndërsa kryeministri Rama i konsideroi këto akte si fundin e protestave qytetare të bulevardit për Zvërnecin e flamingot.
“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, – shkruan Rama
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, zbuloi se grupi i protestuesve kishte kryer sulm të organizuar ndaj dy deputetëve socialistë jashtë ambienteve të Parlamentit, duke përmendur edhe autorin.
“Ishin Ulsi Manja dhe Admir Kadeli, erdhën në orën 8 për të pirë kafe. Në lokal u sulmuan nga banda kriminale e Genti Prognit. I bëj thirrje Policisë që në këto raste të reagojë më shpejt e t’i kapë në vend autorët”, u shpreh Balla
Genti Progni dhe 4 të tjerë u shoqëruan nga Policia, kurse Balla paralajmëroi se do të nxjerrë shumë të dhëna për background-in kriminal të protestuesve, me në krye Dritan Goxhajn.
“Dritan Goxhaj paguhet nga Irani. Kemi të dhëna. Kemi prova. Këtu ka vetëm elementë kriminalë. Është një Anton Frroku nga Lezha sot këtu, me precedent kriminal, për dhunë në familje, ka rrahur gruan, vjen këtu proteston” – shtoi Balla.
Por Balla paralajmëroi se së shpejti do të realizohet dialogu i parë mes qeverisë dhe protestuesve të vërtetë të bulevardit.
“Ata protestues të vërtetë, që ngritën shqetësime reale, nuk janë këtu. Besoj se pak kohë na ndajnë nga dita kur ne do të ulemi me ta, do të diskutojmë dhe flasim.” tha ai.
Një dorë këtij grupi në këtë protestë i dha edhe opozita. Me justifikimin se mbështet kërkesat e protestuesve, PD bojkotoi seancën parlamentare. Por për socialistët arsyeja ka qenë tjetër.
“Kishin frikë se mos i gjuanin me vezë protestuesit.”



