Mund ta kesh gjithçka në dorë, dhe ta katranosësh vetë. Kështu i qëlloi Senegalit, që pësoi një dështim të madh në Kupën e Botës, pak muaj pasi mori goditjen e rëndë duke iu hequr në tavolinë titulli i kampionit të Afrikës.
Një nga skuadrat më të mir atë kontinentit të zi, e që cilësohej favorite ndaj Belgjikës, po kryesonte 2-0 deri në 86’, falë golave nga Diarra dhe Sarr, dhe dukej se vendin në raundin e tretë e kishte sigurt.
Gjithsesi, ndeshja përfundon kur vërshëllen arbitri, kjo dihet, veçse senegalezët e harruan, diçka që nuk e bënë belgët. “Djajtë e kuq” reaguan kur dukej se nuk kishin shpresë, dhe pasi trajneri Rudi Garsia u duk se bëri zëvendësimet më të goditura të mundshme.
Jashtë dy yjet të lodhur dhe pa frymëzim si De Brujne dhe Doku, ndërsa pas pushimit u aktivizua Romelu Lukaku, Lukebakio, Raskin apo Moreira.
Europianët morën zemër pikërisht kur Lukaku shënoi, ndërsa për barazimin mendoi edhe portieri I dytë I Senegalit, Dio, pasi për fat të keq, numri 1 Eduar Mendi u dëmtua pikërisht përpara ndeshjes.
U luajtën dy kohët shtesë dhe pikërisht në minutën e fundit të tyre, arbitri nga Hondurasi Said Martinez, dha vendimin kapital, penallti për Belgjikën. Kamara ndërhyri pa kujdes ndaj Tilemansit, që shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje.
Nuk i bënë punë Senegalit dy shtylla, ndërsa statistikat ishin thuajse totalisht në ekuilibër. Ndoshta afrikanëve u duhet pak më shumë profesionalizëm, përveçse talent, forcë fizike dhe dëshirë.



