Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, ka deklaruar se remitancat dhe tregu i pasurive të paluajtshme po i shtyjnë qytetarët të mbajnë kursimet e tyre në euro, duke reflektuar një rënie të besimit për të investuar në ekonomi.
Ndonëse turizmi mbetet shtylla kryesore dhe sistemi bankar po investon, eksperti paralajmëron se efektet frenuese në tregun e pronave kanë filluar të ndjehen dhe do të sjellin një efekt zinxhir. Sipas tij, rritja dyshifrore e depozitave duhet parë me kujdes pasi niset nga një bazë shumë më e ulët se vendet e rajonit.
Në këtë situatë, Sefa parashikon se Banka e Shqipërisë do ta mbajë të pandryshuar normën e interesit për të monitoruar ecurinë e tregut.
“Remitancat dhe tregu i pasurive të paluajtshme bën që shumë qytetarë të mbajnë kursimet e tyre në euro. T’i mbajnë si një formë konsumi. Jo gjithmonë fakti i depozitave në banka është një gjë pozitive, kjo tregon edhe një rënie të besimit të tregut të ekonomisë. Fakti tregon që niveli i kofidencës së qytetarëve apo të bizneseve, vazhdojnë të mos mendojnë për investime, por më shumë për kursime.
Rritja është vërtet dyshifrore, por duhet parë baza nga jemi nisur, e cila është shumë e ulët nga vendet e rajonit. Është për t’u vlerësuar fakti që sistemi bankar ka filluar që të investojë. Turizmi vazhdon që të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë. Nëse do të flasim për kredi apo për prona kemi një rritje të konsiderueshme.
Efekti i frenimit ka filluar që të ndjehet. Në fakt do të duhen shumë muaj për të parë efektin e plotë. Do të kemi një tendencë zbritëse dhe frenuese për tregun e pasurive të paluajtshme. Do të jetë një efekt zinxhir. Unë besoj që Banka e Shqipërisë do e mbajë të pandryshuar normën e interesit”, tha eksperti i ekonomisë.



