“Ideja që investimet e huaja i bien ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe të cilës i duhet qëndruar vendosmërisht me kurriz”, ishte kjo përgjigjja e kryeministrit Rama për debatin e javëve të fundit mbi investimin e planifikuar në Zvërnec të Vlorës.
“Investimi për të cilin bëhet diskutim marramendës, absurd, sjell 10 mijë mundësi të reja pune, në radhë të parë për djem e vajza për këtë zonë e pastaj, dhe nuk sjell vende pune të keqpaguara, por për njerëz të kualifikuar, të gjithë këto profesione që lidhen me këtë”, u shpreh Rama.
Rikthimi i diskutimit te investimet e huaja u përmend nga Rama, ndërsa këtë të martë u nënshkrua në Pashaliman Memorandumi i Bashkëpunimit mes kompanisë së industrisë detare, FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia”.
“Janë 500 vende pune që kërkojnë punë, ekspertizë, që janë punë të mirëpaguara”, shtoi ai.
Nga ringjallja e industrisë ushtarake, përmes ndërtimit të anijeve në Pashaliman, tha Rama, preken së pari të rinjtë që do të përgatiten dhe trajnohen nga Fincantieri.
“Kompania ‘Fincantieri’ do të organizojë programin e vet të trajnimeve në burim. Pra, nxënësit e shkollës, sipas programit dhe përzgjedhjes, do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe aty do të punojnë me mjeshtrit që ka kompania”, tha kreu i qeverisë.
Nga kjo marrëveshje bashkëpunimi është planifikuar të ndërtohen 10 mjete lundruese, anije deri në vitin 2030.



