Duhej të vinte sfida e fundit në grup që të zbrazej i gjithë zemërimi.
Yjet e Belgjikës besohet se kanë pasur me veten e tyre, sepse vetëm ndaj Zelandës së Re arritën të tregon se çfarë janë në gjendje që të bëjnë, pasi ngecën keq kundër Egjiptit dhe Iranit.
Mbi 52 000 spektatorë në stadiumin e Vankuverit në Kanada ishin dëshmitarë të ndeshjes me më shumë gjuajtje nga një skuadër në këtë Kupë të Botës, pasi “djajtë e kuq” provuan plot 35 herë.
I bie më shumë se një gjuajtje çdo tre minuta.
Nga këto 10 ishin në kuadrat, dhe 5 përfunduan në rrjetë.
Dy herë shënoi Trosar, një herë De Brujne, Selemekers dhe Romelu Lukaku, që u kthye në formë duke shërbyer edhe një asist.
Këtë herë, Zelanda e Re, ishte tepër e dobët dhe nuk tregoi rezistencën që bëri ndaj Iranit.
A mund të thuhet se të besuarit e trajnerit Rudi Garsia kanë ndonjë shans në këtë Botëror, që të paktën t’i afrohen asaj që bënë në 2018 kur mbërritën deri në gjysmëfinale?
Të shohim, por deri tani nuk kanë bindur dhe rivalë të tillë si Zelanda e Re, Egjipti dhe Irani nuk janë testet e duhura.
Belgjika zuri vendin e parë në grup, me 5 pikë, e duke mos pësuar asnjë humbje, ndonëse rivalët nuk ishin aq të fortë.
Tashmë, “djajtë e kuq” presin rivalin në raundin e dytë me ndeshje në 1 korrik, e në rast suksesi do të ndeshet me fituesin e çiftit Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Bosnjë Hercegovinë.



