Turqia mbyll me nder “Botërorin 2026”, duke fituar ndeshjen e tretë të Grupit C kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella imponoi rezultatin 3-2, por nuk kishte se çfarë të festonte pasi e kishte vulosur biletën e kthimit në shtëpi pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të turneut.
Pasi ishin përballur me fatin e keq në dy përballjet paraardhëse, turqit arritën të merrnin një fitore ngushëlluesë, që gjithsesi erdhi me përmbysje. Në “SoFi Stadium” të Los Angeles dhe përpara tifozëve të tyre, organizatorët amerikanë, të kualifikuar si të parët e grupit, gjetën shumë shpejt epërsinë.
Vetëm në minutën e tretë, Trasti ndali topin në rrjetë për të zhbllokuar sfidën. Rastet për shënim nuk i kishin munguar Turqisë as në dy ndeshjet e para, me 35 tentativa në portë.
Por këtë herë, të besuarit e Montelës gjetën finalizimin, madje dy herë që në pjesën e parë. Arda Guler barazoi përkohësisht rezultatin me golin e tij në minutën e 10-të.
Më pas, në të 31-ën ishte Burak Yillmaz që shënoi golin e dytë dhe atë që ktheu shifrat në favor të Turqisë për pjesën e parë. Fraksioni i dytë I ndeshjes nisi menjëherë me gol.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës barazuan sërish rezultatin me rrjetën e Berhalter. Ekuilibri në shifra qëndroi në fuqi deri në fundin e kohës së rregullt, ndërsa vetëm në minutën e fundit shtesë Turqia arriti të sigurojë fitoren e nderit në këtë Botëror me golin e tretë të shënuar nga Ayhan.
Turqit duhet të kthehen në shtëpi me shumë pengje, ndërsa amerikanët kanë njohur rivalët e tyre në raundin e parë me eliminim direkt në Kupën e Botës. Oraganizatorët do të sfidojnë në datën 2 korrik Bosnje Herzegovinën, ndërsa kanë shumë shanse për të vazhduar më tej në turneun që organizojnë në shtëpinë e tyre./abcnews.al



