Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kinezi që flet shqip më mirë se shumë shqiptarë! Burim Li, gazetari që u dashurua me gjuhën tonë

schedule11:26 - 23 Qershor, 2026

schedule 11:26 - 23 Qershor, 2026

Ajo që nisi si një kuriozitet në bankat e universitetit, sot është kthyer në misionin e jetës së tij. Burim Li, gazetar nga Kina, prej më shumë se një dekade flet, lexon dhe jeton me gjuhën shqipe, një pasion që e ka afruar me shqiptarët dhe e ka bërë një nga urat më të bukura kulturore mes dy vendeve.

I ftuar në ABC e Mëngjesit, 32-vjeçari rrëfen se fëmijëria e tij ishte e mbushur me kureshtje për gjuhët e huaja, kulturat dhe librat. Megjithatë, nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të fliste shqip me aq dashuri dhe përkushtim.

“Në fillim ishte thjesht kuriozitet. Më pas u kthye në pasion dhe sot është pjesë e jetës sime”, tregon ai.



Kontakti i parë me Shqipërinë nisi përmes internetit. E tërhoqën energjia, mikpritja dhe mënyra se si komunikonin shqiptarët. Filloi të dëgjonte muzikë shqiptare, të mësonte fjalët e para dhe gradualisht u përball me një nga gjuhët më të vështira në botë.

“Shqipja ka gramatikë të fortë dhe shumë dialekte. Gabova shumë në fillim, por shqiptarët më motivuan vazhdimisht. Sa më shumë e mësoja, aq më shumë dashurohesha me të.”

Në vitin 2015 vizitoi për herë të parë Shqipërinë, ku qëndroi tetë muaj në kuadër të një projekti në Tiranë. Gjatë asaj kohe udhëtoi në Vlorë, Durrës, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Pogradec dhe qytete të tjera, duke krijuar kujtime që vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot.

Në universitet, zgjedhja për të studiuar shqipen nuk ishte rastësi. Prindërit e tij i sugjeruan këtë gjuhë, pasi ruanin ende nostalgjinë për marrëdhëniet e dikurshme mes Kinës dhe Shqipërisë. Pas diplomimit, Burimi vendosi të ndiqte gazetarinë, sepse besonte se kjo profesion do ta mbante edhe më pranë njerëzve dhe kulturës shqiptare.

Sot ai krijon përmbajtje, interviston shqiptarë që jetojnë në Kinë dhe punon çdo ditë për të ndërtuar ura komunikimi mes dy popujve.

“Kur më thonë: ‘Ti flet shqip me zemër’, atëherë kuptoj se gjithçka që kam bërë ka vlejtur.”

Dashuria e tij për Shqipërinë nuk ndalet vetëm te gjuha. Në bibliotekën personale zënë vend veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit dhe autorëve të tjerë shqiptarë, të cilët përpiqet t’i lexojë në gjuhën origjinale, pavarësisht vështirësive.

Po aq i apasionuar është edhe pas muzikës shqiptare. Ai tregon se në Kinë dëgjohet shpesh kënga “Mirëmëngjes” e Alban Skënderajt, ndërsa beson se kultura shqiptare dhe ajo kineze kanë më shumë ngjashmëri sesa mendohet, duke veçuar besën dhe besueshmërinë si vlera që bashkojnë të dy popujt.

Edhe pse jeton e punon në Kinë, Burim Li nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.

“Kam kujtime shumë të bukura. Shqipja më ka dhënë miq, eksperienca dhe një familje të dytë. Dua të vij përsëri dhe të vazhdoj t’u tregoj kinezëve vlerat e shqiptarëve.”

Një histori e pazakontë, që dëshmon se ndonjëherë një gjuhë e huaj mund të bëhet shtëpia më e bukur e zemrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!