Analisti Endri Tafani deklaroi se presidenti Trump erdhi në pushtet me bindjen se Ukraina po humbiste luftën dhe se një pjesë e përgjegjësisë i takonte vetë Kievit.
Sipas tij, kjo qasje u ndikua nga narrativa pro-ruse dhe çoi në presion të drejtpërdrejtë ndaj Ukrainës, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit. Tafani theksoi se gjatë vitit të fundit Ukraina ka dëshmuar se është në gjendje t’i rezistojë ushtarakisht Rusisë, t’i shkaktojë humbje dhe njëkohësisht ka treguar gatishmëri për t’i dhënë fund luftës.
“Trump, kur erdhi në pushtet, ka ardhur me një narrativë: Ukraina po humb luftën dhe një pjesë e fajit ishte e Ukrainës. Ai ishte i ndikuar nga propaganda pro-ruse dhe kjo ishte ajo që e bëri të vepronte me emergjencë, duke ushtruar presion direkt ndaj Ukrainës, sepse sipas Trumpit, sido që të ishte, luftën do ta kishte të humbur.
Vjet u mundua t’i jepte fund luftës dhe ndodhi takimi i famshëm me Zelenskyn. Nga vjet e deri tani, Ukraina ka treguar se është e aftë të përballet ushtarakisht me Rusinë me ndihmën e Evropës dhe SHBA-së, por edhe t’i shkaktojë humbje. Gjithashtu, ka treguar edhe vullnetin për t’i dhënë fund luftës.“ / abcnews.al/



