Kroacia do të punojë për të rifilluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndërsa vendi mban presidencën e BE për gjashtë muajt e ardhshëm.
Kryeministri Andrej Plenkoviç, në një konferencë për shtyp ku shpalosi planin e vendit të tij për 6 muajt e ardhshëm të drejtimit të presidencës së BE-së, tha se do t’i kushtojë një vëmendje të madhe çështjes së zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne do të përpiqemi të vijojmë përpjekjet tona para samitit, të urojmë dhe zhbllokojmë atë që, për fat të keq, nuk u vendos në tetor të 2019-s në Këshillin Evropian. Ne do të përpiqemi të gjejmë mënyrën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mali i Zi dhe Serbia janë tashmë duke negociuar, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, të cilat duhet të fillojnë negociatat, së bashku me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat janë objektivat tanë në këtë moment”, tha ai.
Franca dhe Hollanda ndaluan hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vitin e kaluar, duke shkaktuar zhgënjim në Ballkanin Perëndimor.
Kroacia, e cila u bë anëtare e BE në 2013, ishte vendi i fundit që u bashkua me bllokun.
Qeveria kroate ka renditur zgjerimin e BE si një nga përparësitë për presidencën e saj në BE, e cila do të përfshijë gjithashtu kryesimin e Brexit në fund të muajit dhe fillimin e bisedimeve pas Brexit.
“Konteksti i presidencës sonë është shumë specifik dhe i kërkuar,” tha Plenkovic.
Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar dhe Britania largohet nga BE më 31 janar, detyra e Kroacisë do të jetë të koordinojë përpjekjet e BE për të përvijuar një propozim kornizë për marrëveshjet e ardhshme me Britaninë, shpjegoi Plenkoviç.
“Kjo është puna jonë,” tha ai. “Dhe ne kemi filluar të punojmë në të. Së bashku me kryenegociatorin e BE për Brexit, Michel Barnier.”/abcnews.al