Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Për “marrëveshjen” dhe “revolucionin”

schedule15:55 - 22 Qershor, 2026

schedule 15:55 - 22 Qershor, 2026

Nga Romina Kuko

Qarkullon një anekdotë për një kryetar bashkie diku nëpër Ballkan; u zotua se do rindërtonte një urë historike. Në zotimin ndaj protestuesve që donin trashëgimi kulturore tha ‘’Urën do ta bëjmë më të re, më të bukur, më të vjetër’’

Prej javësh në rrugët e Tiranës dhe në rrugët e Facebookut (apo Reddit Albania) dëgjohet parrulla që synon të bëhet identitet politik. Shqiperia e Re. Lindur nga protesta për Zvërnecin sot ajo po kërkon të mbulojë gjithçka; që nga mbrojtja e natyrës deri te eliminimi politik i gjithë klasës politike në Shqipëri. Disa nga zëdhënësit e saj e kanë krahasuar veten, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me misionarë të momenteve më të mëdha të historisë. Me New Deal të Presidentit Roosevelt (Marrëveshja e Re pra). Sllogani tingëllon mirë në pankartë, në realitet, është pak më ndryshe.



Çfarë ishte Marrëveshja e Re e Roosevelt

Pas Depresionit të Madh, New Deal nuk projektonte manifestim inati, mllefi apo ndjenjë. Ishte program me data, emra dhe ligje gati. Brenda 100 ditëve të para të mandatit administrata e Roosevelt kaloi në Kongres dhjetëra ligje konkrete mbi rregullimin e sistemit bankar, hapjen e vendeve të punës, mbrojtjen e kursimeve. Çdo amerikan e dinte saktësisht si do të ndryshonte jeta e tij brenda pak muajve; të zgjedhurit legjitimë, përgjegjës para Kongresit e kishin marrë përsipër ta bënin këtë.

Shqipëria e re, pas javësh pjesëmarrje në tubimin e larmishëm të shumë interesave, nuk ka thënë akoma se cila është dhe çfarë do bëjë. Ka thënë vetëm se çfarë do të rrëzojë dhe zhdukë. Ky është detaji i parë (teknik) dallues ndërmjet një projekti serioz politik dhe një gjendjeje shpirtërore. Mund ta quajmë zemërim, mund ta quajmë kërkesë legjitime drejtësie por nëse nuk ka një plan se çfarë krijohet pas saj, nuk mund ta quajmë ripërtëritje. Në fakt nuk mund ta quajmë asgjë.

Kush e firmos faturën?

Vetë zërat që e organizojnë e pranojnë se kjo është një lëvizje qytetare apo e intelektualëve jashtë politikës. Bukur. Po kjo është në fakt thembra e Akilit. New Deal pati emër, seli, përgjegjësi institucionale dhe nëse do të dështonte dikush do përgjigjej përpara njerëzve në zgjedhjet e ardhshme. Shqipëria e re nuk po prodhon guximin për të patur një emër që të marrë përsipër pasojat. Ka ende vetëm parrulla ‘’one size fits all’’ të kanalizimit të mllefit dhe zemëratës në rastin më të mire; përdorimit politik nga qarqe dhe segmente në rastin më të keq. Mirëpo duke e menduar ftohtë, kjo nuk është rastësi naive. Lëvizjet që refuzojnë të emërtohen dhe të shpallin se çfarë kanë ndërmend të bëjnë në një moment humbasin sinqeritetin. Emërtimi sjell provën e zjarrit mbi kompaktësinë e lëvizjes nga një anë. Nga ana tjetër emërtimi sjell përgjegjësi dhe përgjegjësia sjell kritikë. Është shumë më e thjeshtë të jesh kundër gjithçkaje se sa të qëndrosh për diçka konkrete që do analizohet, kritikohet dhe gjykohet.

Të gjithë në burg! – Kur kundërshtimi bëhet qëllim në vetvete

Shenja më ekspozuese mbi ideologët e protestës është thirrja për burg për liderët aktualë dhe në njëfarë mënyrë refuzimi i gjithë klasës aktuale politike. Simetria për t’i eliminuar të gjithë a’la cancel culture më tepër se sa një strategji politike është aktivizimi i neverisë së përgjithësuar ndaj establishmentit (këtë formulë e pamë ndër shqiptarë në RMV, skemë e njohur). Nëse hedhim sytë nga historia, lëvizje të tilla nuk prodhojnë ripërtëritje por vakum, vakum i cili zakonisht mbushet nga një palë e tretë sipas formulës ‘’kur 2 zihen, fiton i treti’’. Zakonisht mbushet nga ata që janë më të organizuar, jo domosdoshmërisht më të mirë; shpesh këta qëllojnë aktorë me interesa shumë më të errëta se ata që turma do të eliminojë.

Historia ka shembuj, dhe nuk janë të favorshëm – Revolucioni i ha bijtë e vet

Të gjitha mësimet e politikës gjenden në histori, mjafton të kthehesh të konsultohesh me të. Bota e ka parë shumë herë këtë skenarin e ‘’së resë radikale’’ ku një nga shembujt më të palavdishëm është Terrori pas Revolucionit Francez. Pa shkuar aq larg, shembujt e dekadës së fundit janë kuptimplotë. Lëvizja 5 Stelle në Itali u ngrit me të njëjtën formulë ‘’as majtas, as djathtas, kundër gjithë klasës politike’’, fitoi zgjedhje pastaj u shkërmoq në fraksione sapo iu kërkua të qeveriste. Jelekët e verdhë në Francë mbushën sheshet me të njëjtën energji, pa lider, pa parti vetëm kërkesa negative, kundër klasës politike, kundër kundër; pasi doli presioni i  avullit të pakënaqësisë, u zbehën pa lënë asgjë pas vetes. Pranvera Arabe e Egjiptit të Ri që rrëzoi Mubarakun kishte një ndjenjë të përbashkët kombëtare por dhe një vakum të madh të cilin e mbushën të tjerë, jo ata që nisën Revolucionin; e dimë si shkoi, kaluan nga shiu në breshër. Të gjitha vendet që përjetuan pranverë arabe.

Ka dhe raste suksesi kur lëvizjet mbijetojnë por zakonisht këto lëvizje kanë organizim, strukturë dhe lidership. Mbi të gjitha, në një kohë shumë të shkurtër arrijnë të kalojnë nga slogani te struktura dhe gara. Solidarnost në Poloni pati lider, Forumi qytetar në Çekosllovaki ishte e njëjta gjë me Havelin dhe ekipin e tij; me autoritet moral të padiskutueshëm dhe gati të merrnin përgjegjësi.

Diferenca ndërmjet këtyre dy kategorive nuk ka të bëjë me intensitetin e protestës. Sheshi Tahrir në Kairo dhe Jelekët e Verdhë në Paris ishin po aq të zjarrtë sa Solidarnost. Diferenca ka të bëjë me marrjen e përgjegjësive politike për një ndërmarrje kaq të madhe siç është një atdhe i ri ku gjallojnë miliona njerëz dhe mban përgjegjësi për ta.

Oportunizmi politik veshur me flamur

Ka ende diçka që shumë pak e thonë me zë të lartë. Ata që e drejtojnë këtë retorikë nuk janë naivë. Janë njerëz që e kuptojnë historinë dhe i njohin mësimet e saj. E dinë saktësisht se New Deal kishte emra ligje dhe data, e dinë si përfundoi Pranvera Arabe, e dinë se si ishin raportet e forcave në Poloni, Çekosllovaki apo në dekadën e fundit në Ukrainë. E dinë dhe pse. E dinë dhe se fushëbeteja e kujt ishte dhe mbi të gjitha e dinë se ‘’Shqipëria e re’’ nuk ka tiparet e tyre. E dinë se thirrja ‘’në burg’’ nuk përbën strategji (aime, në një shtet të së drejtës) por karburant zemërate.  E dinë gjithashtu se ambiguiteti, mjegulla nuk është dështim i lëvizjes por leva e saj.

Pa emër, pa parti, pa platformë, askush nuk mban përgjegjësi nëse gjërat shkojnë keq po nëse shkon mirë atëherë del si themelues i saj. Kjo është pikërisht logjika e oportunizmit politik: rri në hijen e një emocioni publik aq gjatë sa të ketë dobi,  mbaje formën e paqartë aq gjatë sa mos marrësh zotime dhe kur të vijë momenti merr kapitalin politik, kandidaturën. Mirëpo kjo nuk është ripërtëritje qytetare, më tepër ngjan me karrierizëm veshur me petkun e revolucionit.

Nuk është rastësi që së fundmi kemi shtim aksionesh në bursën e revolucionit, zëra reformistë që janë provuar dhe sprovuar dhe nuk kanë arritur të reformojnë as sektorin e tyre. Distancimi në këto kohë turbullirash nuk kushton asgjë por blen gjithë vëmendjen. Po kur aksionet bien, çfarë do ngelet pas?

Kush flet në emrin tënd?

Kjo për pjesën e shëndoshë dhe të pastër të protestës. Mund të jesh i zemëruar për vdekje me gjithë 35 vjeçarin e kaluar (mos harro, demokracitë e reja kalojnë procese), mund të jesh i zemëruar me mënyrën si qeveriset, si bëhet opozitë, për Zvërnecin, pensionet e çdo gjë tjetër, por pastaj duhet të kërkosh të dish në radhë të parë kush flet në emrin tënd? Kujt po i shkon nga pas? Cilin po ndjek?  Emrin, planin dhe llogaridhënien. Nëse Shqipëria e Re refuzon ta japë këtë, refuzimi është vetë përgjigjja. Reformistët e mëdhenj nuk kanë fituar – dhe ruajtur – besimin e njerëzve duke ulëritur ditë e natë se çfarë do rrëzonin por çfarë do ndërtonin. Ata që sot flasin për ripërtëritje pa asnjë nga këto elemente po huazojnë gjuhën e saj për qëllime shumë më modeste se ato që pretendojnë, përveçse po kryejnë atentat ndaj rrugës së Shqipërisë së realitetit në BE.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!