Eksperti për Turizmin Isa Krasniqi, në një intervistë në “Money Report” në ABC News, foli për turizmin në vend dhe rritjen e turistëve të huaj që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri.
Sipas tij, interesi për të vizituar Shqipërinë mbetet i lartë, i ndikuar edhe nga promovimi i shtuar i vendit në vitet e fundit. Ai theksoi se turistët e huaj nuk fokusohen vetëm te bregdeti, por gjithnjë e më shumë po shfaqin interes edhe për qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore.
“Çdo muaj i këtij viti kemi pasur rritje krahasuar me vitin e kaluar. Edhe akomodimi është shtuar, ndërsa turistët po kthehen dhe po eksplorojnë më shumë destinacione,” u shpreh ai.
Sipas ekspertit, kjo rritje po sjell ndikim pozitiv në ekonomi, duke rritur të ardhurat si për bizneset vendase ashtu edhe për buxhetin e shtetit.
“Interesi për të vizituar vendin tonë është i lartë sepse edhe promovimi vitet e fundit ka qenë shumë i lartë. Shumë nga turistët që vizitojnë Shqipërinë, kërkojnë edhe qytete historike dhe kanë interes për trashëgiminë kulturore, jo vetëm për detin. Kjo rritje i sjell xhepave të shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit të ardhura më të mirë. Këtë vit është në rritje numri i turistëve. Çdo muaj të këtij viti ne kemi qenë më mirë se viti i kaluar. Edhe akomodimi është shtuar… Kemi edhe turistë që vijnë dhe kthehen por kemi edhe turistë që vijnë dhe eksplorojnë detin tonë. Vlora, Ksamili, Saranda, është shumë e preferuar. Turistë të Britanisë së Madhe, kemi 4 avionë në ditë që shkojnë e vinë në Britaninë e Madhe. Sa i përket linjave të reja, shkojnë në vende që kanë potencial në rritje të sektorit të turizmit. Shqipëria po zgjeron hartën e saj të turizmit”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/



