Skena që të kujtonin filmat aksion janë regjistruar mesditën e kësaj të hëne në Durrës, pranë tregut të fruta-perimeve, ku një person i shpallur në kërkim është përfshirë në një aksident rrugor gjatë tentativës për t’iu shmangur policisë.
Sipas informacioneve paraprake, i dyshuari po lëvizte me shpejtësi të lartë ndërsa ndiqej nga efektivët e policisë, me qëllim shmangien e arrestimit.
Gjatë ndjekjes, automjeti që ai drejtonte është përplasur me pesë mjete të tjera, duke shkaktuar dëme materiale dhe momente paniku për drejtuesit e automjeteve në zonë.
Pas aksidentit, personi i shpallur në kërkim ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendngjarja, duke arritur t’i shpëtojë sërish policisë.
Menjëherë pas ngjarjes, uniformat blu ngritën pika kontrolli dhe nisën kontrolle intensive në disa zona të qytetit për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale.



