Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, deklaroi se shumica dërrmuese e shqiptarëve në diasporë i kanë besuar vizionit të kryeministrit Edi Rama dhe projektit të integrimit europian të vendit.
Gjuzi tha se PS ka siguruar 122 mijë vota nga diaspora, ndërsa theksoi se dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit mbështetën këtë vizion.
Sipas saj, rezultati zgjedhor përbën një mandat të qartë për të vijuar punën e nisur që në vitin 2013, me fokus zhvillimin e vendit, integrimin në Bashkimin Europian dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“PS ka marrë 122 mijë vota nga diaspora. 2/3 e shqiptarëve të diasporës i besuan vizionit të Edi Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Shqiptarët kanë folur me votë do të flasin sërish në vitin 2029, deri atëherë ne si forca më e madhe duhet të bëjmë punën dhe t’u shërbejmë qytetarëve.
PS i takon që të bëjë punën, që e ka nisur që në vitin 2013. Është bërë një punë shumë e madhe për një Shqipëri europiane, e cila uli çmimin e energjisë elektrike dhe synon që të bëhet eksportuese e energjisë elektrike.
Një Shqipëri që sot është bërë qendër e samitesh dhe eventesh. Patjetër që ka punë që duhen zgjidhur, por është bërë një punë e jashtëzakonshme. PS e di që ka ende punë për të bërë, prandaj mandatin që shqiptarët ia dhanë synon ta çojë me punë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gjuzi.



