Presioni ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer duket se po rritet brenda radhëve të Partisë Laburiste, pasi Andy Burnham fitoi bindshëm zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, duke forcuar pozitat e tij si një kandidat i mundshëm për drejtimin e partisë në të ardhmen.
Ish-kryetari i bashkisë së Greater Manchester siguroi rreth 55 për qind të votave, ose afro 25 mijë vota, duke lënë pas kandidatin e Reform UK, Robert Kenyon, me një diferencë prej më shumë se 9 mijë votash.
Në fjalimin pas fitores, Burnham e cilësoi rezultatin si një mesazh të qartë nga votuesit për nevojën e ndryshimit. Ai i bëri thirrje Partisë Laburiste të reflektojë, duke paralajmëruar se kjo mund të jetë mundësia e fundit për të korrigjuar kursin politik. “Nuk do të ketë një shans të dytë”, deklaroi ai, teksa foli për nevojën e krijimit të një politike të re të mbështetur te uniteti dhe shpresa.
Burnham shprehu gjithashtu keqardhje për largimin nga posti i kryetarit të bashkisë së Greater Manchester, por theksoi se hendeku mes veriut dhe jugut të Anglisë nuk mund të zgjidhet pa reforma të thella në nivel kombëtar.
Nga ana e tij, Keir Starmer e përgëzoi Burnham për fitoren, duke shkruar në rrjetin social X se votuesit kishin zgjedhur “shpresën dhe optimizmin” përballë “përçarjes dhe urrejtjes”.
Burnham ka bërë të ditur edhe më herët se do të ishte i gatshëm të garonte për drejtimin e Partisë Laburiste. Për t’u futur zyrtarisht në një garë të tillë, atij do t’i nevojitej mbështetja e të paktën 81 deputetëve laburistë.
Situata duket se po leviz shpejt brenda Partise Laburiste me gjithnje e me shume ligjvennes qe kane kerkuar doreheqjen e Starmer duke thene se partise i duhet nje drejtim i ri.



