Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me veprimin e protestuesve, të cilët mbrëmjen e djeshme shkuan në zonën “Fan Zone” në qendër të Tiranës.
Kreu i qeverisë e ka krahasuar sjelljen e protestuesve me lëvizjet ekstremiste të Europës së paraluftës, duke theksuar se metodat e tyre bazohen tek intimidimi, linçimi publik dhe dhuna verbale.
Sipas Ramës, qëllimi kryesor i këtyre akteve nuk është debati, por krijimi i një klime frike që synon të detyrojë qytetarët të heshtin.
Ai paralajmëroi se ky “terror i rrugës”, i cili sot shumëfishohet edhe përmes platformave digjitale, përbën një rrezik serioz dhe një presion në rritje mbi hapësirën demokratike të vendit.
“Një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën.
Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.
Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit.
Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.
Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin.
Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve”, ka shkruar Rama.



