Një mozaik i ri me vlera të veçanta historike dhe arkeologjike është zbuluar në bazilikën paleokristiane të Elbasanit.
Sipas specialistëve, gjetjet e reja ndihmojnë për të kuptuar evolucionin e monumentit gjatë shekujve V dhe VI, si dhe të zhvillimit ekonomik, kulturor e shoqëror të qytetit antik.
Kërkimet aktuale synojnë të përcaktojnë me saktësi fazat e ndërtimit dhe përdorimit të bazilikës.
Gërmimet kanë treguar se kisha ka kaluar të paktën dy rindërtime madhore, të shoqëruara me mozaikë të rinj dhe ndryshime strukturore.
Ky zbulim sjell të dhëna të reja për jetën fetare dhe shoqërore të Scampis-it të lashtë.
Bazilika paleokristiane e Elbasanit, e zbuluar rreth dy dekada më parë pranë Rrapit të Bezistanit, vijon të pasurohet me gjetje të reja arkeologjike në çdo sezon gërmimesh. Megjithatë, monumenti mbetet ende i mbuluar dhe jo plotësisht i aksesueshëm për vizitorët, ndërsa specialistët theksojnë nevojën për financime të mëtejshme për konservimin dhe ekspozimin e tij./abcnews.al



