Mbrëmjen e së shtunës, forcat operacionale arrestuan të shumëkërkuarin Moisi Habilaj.
Pas arrestimit, Habilaj është transportuar drejt Policisë së Vlorës.
Habilaj, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike, është lokalizuar në një beach bar në pronësi të familjarëve të tij, ku qëndronte prej kohësh. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e arrestimit, Habilaj ishte i maskuar me kapele dhe mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin nga autoritetet.
Moisi Habilaj është shpallur fajtor nga GJKKO me 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Habilaj është dënuar më herët edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Çështja e “Habilajve” në tetor të vitit 2017, mori edhe vëmendje politke pas publikimit të dosjes italiane që evidentonte lidhje mes grupit kriminal dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Edhe pse Tahiri u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai u dënua përfundimisht për shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje, fajtor u shpall edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela./abcnews.al



