Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, nuk është edhe i vetmi që në garën për kryetar partie zgjedh të kandidojë i vetëm, pa kundërshtar. “Shembullin” e tij së fundmi e ka ndjekur edhe ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Orbán u rizgjodh këtë të shtunë në krye të partisë opozitare Fidesz për një mandat tjetër njëvjeçar, në një garë partiake ku ishte i vetmi kandidat për kreun e partisë.
Ajo që mund të quhet fitore e Orbán vjen pasi partia e tij humbi zgjedhjet parlamentare të 12 prillit në Hungari. Orbán, 62 vjeç, i njohur për modelin e tij të ashtuquajtur të “demokracisë joliberale”, ka qenë për më shumë se një dekadë një figurë frymëzuese për konservatorët e djathtë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
E ardhmja e tij politike ishte vënë në pikëpyetje pas disfatës zgjedhore, ndërsa disa ish-bashkëpunëtorë besnikë i kërkuan publikisht të tërhiqej nga politika, një zhvillim i pazakontë që nga rikthimi i tij në pushtet në vitin 2010.
Sipas agjencisë shtetërore hungareze MTI, 729 nga 737 delegatë votuan për rizgjedhjen e Orbánit në kongresin e Fidesz-it si kandidat i vetëm për postin e kryetarit. “Unë nuk dorëzohem. Kurrë, kurrë, kurrë nuk dorëzohem”, deklaroi Orbán para votimit, megjithatë, në ndryshim nga Doktori, ish-kryeministri hungarez mori përgjegjësinë për humbjet në zgjedhjet parlamentare.
Sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja për Fidesz ka vazhduar të bjerë pas humbjes elektorale. Një anketë e kryer në maj nga Instituti Publicus tregoi se Tisza gëzon 55% të mbështetjes së qytetarëve, krahasuar me 53% që mori në zgjedhje, ndërsa Fidesz ka rënë në 17%, nga 39% që kishte në votimet e prillit./abcnews.al



