Sali Berishës i jepet vizë për në SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit sqaroi për ABC News se ka lëshuar disa përjashtime për të sanksionuarit bazuar në nenin 7031(c), kur u pyet për kryetarin e PD. Lëshime që përfshijnë një grup të sanksionuarish, përfshirë Berishën.
“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (ëaivers) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”.
Por termi waivers në DASH përdoret vetëm për vizat. Nënkupton përjashtime vetëm për disa masa ndaluese të të sanksionuarve, siç është ndalimi për hyrje në SHBA.
Ndërkohë që non grata, referuar nenit 7031(c), mbetet, për akuzat për korrupsion në nivele të larta dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Waivers përdoren kur ndalimi i hyrjes nuk zbatohet në një apo disa raste, kur një i sanksionuar lejohet të hyjë në SHBA për arsye specifike apo disa pasoja të sanksionimit pezullohen përkohësisht.
DASH nuk jep sqarime nëse ky përjashtim është vetëm për Sali Berishën, apo dhe për bashkëshorten Liri Berisha dhe dy fëmijët, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, gjithashtu non grata.
Sipas njoftimit, deri tani e sigurt është se viza për në SHBA është dhënë vetëm për Sali Berishën dhe nuk dihet nëse ky lëshim i është bërë edhe Tom Doshit dhe Vangjush Dakos, edhe ata nën të njëjtin sanksion.
Sipas DASH, përjashtimet po bëhen për të siguruar një interes kombëtar bindës në SHBA, por nuk jepet arsyeja specifike pse, në rastin e Sali Berishës, është bërë ky përjashtim.
Megjithatë duket se Berisha e ka paguar shtrenjtë një vizë për SHBA, pasi kjo ishte vetëm kërkesa e parë minimale e kompanisë Continental Strategy, të cilën e pagoi 6 milionë dollarë fushatën e kaluar.
Dhe ndërsa mediat e familjes dhe oborrtarët e PD trumbetonin heqjen e non gratës, duket se kjo është arsyeja pse Berisha nuk ishte dhe aq i entuziazmuar kur doli lajmi.
Vetë e dinte mirë, thjesht dhe këtë herë gënjeu të vetët.
“Unë kam komunikim zyrtar, ndaj jam këtu, u ktheva. S’kam qenë kurrë non grata, më ishte ndaluar hyrja në SHBA, sanksionimi ishte vetëm për vizë.”



