Kupa e Botës 2026 nuk do të jetë vetëm skena e yjeve më të mëdhenj të futbollit, por edhe e disa prej sportistëve më të pasur në planet.
Në krye të listës së futbollistëve me pasurinë më të madhe që pritet të marrin pjesë në turne renditet Cristiano Ronaldo.
Superylli portugez kryeson bindshëm me një pasuri të vlerësuar në rreth 1.2 miliardë euro, duke qenë i vetmi futbollist në Botërorin 2026 që ka kaluar pragun e një miliard eurove. Pas tij vjen rivali i tij historik, Lionel Messi, me një pasuri prej 868 milionë eurosh.
Podiumi plotësohet nga Neymar, i cili zotëron rreth 391 milionë euro. Në vendin e katërt renditet Kylian Mbappe me 218 milionë euro, ndërsa pesëshja e parë mbyllet nga Harry Kane, pasuria e të cilit vlerësohet në 129 milionë euro.
Mohamed Salah mban vendin e gjashtë me 122 milionë euro, duke konfirmuar statusin e tij si një prej futbollistëve më të paguar të gjeneratës së tij. Më pas vijnë Son Heung-min me 87 milionë euro dhe Riyad Mahrez me 74 milionë euro.
Një surprizë për shumë tifozë mund të konsiderohet pozicioni i Erling Haalandit. Sulmuesi norvegjez, pavarësisht se konsiderohet një nga futbollistët më të mirë në botë, renditet i nënti me 69 milionë euro pasuri, kryesisht për shkak të moshës së tij më të re krahasuar me emrat e tjerë të listës.
Top 10-shja plotësohet nga James Rodriguez, i cili gjithashtu ka një pasuri të vlerësuar në 69 milionë euro.
Kjo renditje tregon se Botërori 2026 nuk do të karakterizohet vetëm nga gara për trofeun më prestigjioz të futbollit, por edhe nga prania e disa prej sportistëve më të pasur dhe më të famshëm në botë.



