Një informacion nga Syri TV dhe PD thotë se Sali Berishës i është hequr non grata pas 5 vitesh nga SHBA.
Vetë Berisha në Parlament nuk foli për non gratën, por tha se i kanë komunikuar heqjen e ndalimit të hyrjes në SHBA.
Berisha: “Kam komunikim zyrtar. Unë u ktheva. Nuk kam qenë kurrë non grata. Kam pasur vetëm sanksion, ndalim hyrjeje në SHBA. Unë u ktheva.”
Kurse mazhoranca socialiste u tregua e kujdesshme për këtë informacion të dalë nga PD.
Balla: “Ajo 7031(c) vështirë të hiqet, por ne presim njoftimin zyrtar të DASH dhe SHBA.”
Por, veç mediave të familjes, të tjerat janë treguar të kujdesshme me informacionin.
Burime pranë Berishës thonë se ai thotë se ka pasur një telefonatë me anë të së cilës i është komunikuar një vendim nga SHBA.
ABC News pyeti Ambasadën Amerikane në Tiranë, por prej saj nuk erdhi asnjë përgjigje zyrtare. Ndaj, në vijë logjike, ndoqëm rrugën të pyesim direkt Departamentin e Shtetit.
Deri në këtë orë, nuk mori asnjë përgjigje nga DASH.
Ndërkohë, shpallja non grata e Sali Berishës dhe familjes së tij më 19 maj 2021 është ende publike në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. ABC News do të njoftojë nëse do të ketë një përgjigje zyrtare nëse do të hiqet ose jo.
Heqja e sanksionit 7031(c) është një gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rasti Berisha ishte thuajse unikal. Por a është heqje e sanksionit për të dhe familjen? A është procedurë për të rishqyrtuar dosjen? A është një lëshim i përkohshëm për një vizitë në Amerikë? Dhe nëse po, cilat janë motivet? Personale? Humanitare? Zyrtare apo politike?
Në pritje të përgjigjes nga DASH, gjithsesi ABC News po bën publike pyetjet që i dërgoi asaj:
A është hequr sanksionimi 7031(c) nga:
- Sali Berisha
- Liri Berisha
- Shkëlzen Berisha
- Argita Malltezi
A i keni dhënë leje hyrjeje për në SHBA kryetarit të PD-së, Sali Berisha?
Nëse po, me çfarë motivi, dhe pse?
Jemi në pritje të një përgjigjeje./abcnews.al



