Qytetarët dhe bizneset kanë shlyer në kohë këstet e kredive.të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në prill të këtij viti është regjistruar një prej niveleve më të ulëta në rreth dy dekada.Sipas Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme zbritën në nivelin 3.75% nga 3.85 që ishin një muaj më parë.
Nëse bëjmë njëkrhasim me të njëjtin muaj të një viti më parë rezulton se rënia është edhe më e fortë pasi në prill të vitit 2025 niveli i kredive të këqia ishte mbi 4%. Këto shifra konfirmojnë qëndrueshmërinë ekonomike të vendit çka ka bërë që bizneset dhe qytetarët të paguajnë në kohë këstet e kredive.
Këto të dhëna konfirmojnë ndër të tjera edhe ecurinë e mirë të sektorit bankar i cili për shkak të qëndrueshmërisë së raportit të kredive me probleme ka dhënë më shumë hua për ekonominë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë prillit sektori bankar aprovoi 39.1 miliardë lekë kredi të reja, duke u rritur me gati 19% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Ndikimin më të fortë në këtë ecuri duket se e ka dhënë segmenti i biznesit ku kredia e re gjatë muajit u rrit 25% me bazë vjetore, ndërsa te individët rritja ishte më e kufizuar, me afërsisht 8% më shumë.
Tensionet gjeopolitike në Lindjen e mesme kanë rritur ndjeshëm rreziqet inflacioniste për vitin 2026. Ndërkohë që inflacioni në vend ka arritur në 3% por duke qëndruar përsëri në objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Kjo mund të shoqërohet me rritje të normave të interesit dhe si pasojë edhe ulje të aftësisë paguese të huamarrësve. Por gjithçka varet nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme që ka dhënë impakt të konsiderueshëm në rritje të çmimeve të karburanteve.


