Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjoba të papaguara… mesazhet mashtruese/ Reagon Policia: Kujdes! Mos jepni të dhëna personale!

schedule16:59 - 7 Qershor, 2026

schedule 16:59 - 7 Qershor, 2026

Gjatë ditës së sotme, shumë qytetarë kanë raportuar pranë Policisë së Shtetit se kanë marrë mesazhe mashtruese, nëpërmjet të cilave u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të pretenduara si të papaguara.

Menjëherë pas denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Mesazhet dërgohen nëpërmjet një skeme mashtrimi kompjuterik të njohur si “Smishing”, ku pretendohet në mënyrë të rreme se qytetarët kanë detyrime të papaguara, gjoba rrugore ose procedura administrative në pritje. Këto mesazhe përmbajnë lidhje (linke) që i drejtojnë përdoruesit në faqe interneti të falsifikuara, të ndërtuara për të imituar faqet zyrtare të institucioneve shtetërore.



Nga verifikimet paraprake rezulton se qëllimi i autorëve është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve, të cilat më pas mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe vjedhjen e fondeve nga llogaritë bankare.

Policia e Shtetit sqaron qytetarët se fondet bankare nuk mund të vidhen vetëm nga marrja e një mesazhi SMS. Rreziku lind në momentin kur qytetari klikon mbi lidhjen mashtruese dhe plotëson në faqen e rreme të dhënat e kartës bankare, kredencialet e internet banking-ut, kodet e sigurisë apo kodet e verifikimit të dërguara nga banka.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:

* Të mos klikojnë në lidhje të dërguara nëpërmjet SMS-ve nga burime të panjohura ose të dyshimta;

* Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe interneti të paverifikuara;

* Të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë, PIN-et apo kodet e autentifikimit të dërguara nga institucionet bankare;

* Të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës;

* Të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre në rast se kanë plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë;

* Të raportojnë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit vijon monitorimin dhe hetimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe fton qytetarët të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj çdo komunikimi elektronik që kërkon të dhëna personale apo financiare.

Lufta kundër krimit kibernetik dhe mbrojtja e qytetarëve në hapësirën dixhitale mbeten prioritete të Policisë së Shtetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!