Nga Tivati në Zvërnec, kryeministri Rama u ul për herë të parë me banorët dhe pronarët që pretendojnë tokat në zonën e investimit. Ndryshe nga protesta në Tiranë, banorët në Zvërnec e mirëpresin investimin, por kërkojnë kthimin e pronave.
“Këtu është bërë batërdi, janë grabitur tokat, të kthehen pronat, pastaj investimi.”
“Ne jemi pro investimit, të bëhen sa më shumë madje. Ne duam investim, por ju lutem mos largoni investitorët e tjerë që jemi këtu.”, tha një qytetar.
Kryeministri Rama tha se qeveria e ka të ndaluar të merret me problemin e pronave dhe këtë ia ka lënë drejtësisë, por shtoi se derisa të zgjidhet ky problem, investimi nuk mund të ndalet.
“Unë s’erdha për të negociuar se s’kam çfarë të negocioj. Qeveria e ka të ndaluar këtë, se ju thoni shteti. Ka prokurori, ka gjykata që gjejnë fajtorët. Por derisa të gjenden fajtorët, s’mund të bllokohet ky investim. Nëse ju dilni pronarë, paratë që janë të ngrira i konfiskohen dhe bëhen para të shtetit, dhe shteti merret me pronarët. Urdhëro lekët dhe vazhdo punën. SPAK ka punën e vet, ne punën tonë.”, tha ai.
Kryeministri mbështeti moralisht pronarët që pretendojnë tokat, ndërsa solli edhe një rast edhe më flagrant të kësaj problematike.
“Ore, e dimë që këtu është batërdi, këtu kanë prona e gjyqtarë. Se unë ju mbështes, por mos më futni në sherr me BE-në. E dini ju që i ka dalë pronari teatrit në Butrint? Ka dalë ai, thotë unë dua pronën. Si t’i dalë pronari Akropolit e të ngrihet në protestë. Po ku i gjete kartat more, nga Greqia e Lashtë? I kam nga Turqia, thotë njeri.”, u shpreh ai.
Por kryeministri paralajmëroi se ka vetëm një kusht: nuk ka për t’u dalë krah pronarëve nëse ata dalin kundër investimit.
“Doni të bëni revolucion? Bëjeni. Kthejeni siç ishte. Po mua s’më keni në krah. Se ca nga ju ju thërret edhe partia, bjeri me plumb ballit.”
Në takimin me banorët e Zvërnecit, Rama zbuloi detaje të reja për luftën hibride nga Irani.
“E dini që prej kohësh jemi në sulm nga Irani. Evidentuam se kur plasi kjo, aktiviteti në rrjetet sociale u rrit pesëfish. Nxorën një foto gardhi me flamur të Izraelit mbi të. Është evidentuar se fushata kryhet nga njerëz të penetruar, në disa xhami. Ne kemi hyrë në një fushë tjetër, konkurrenca, dhe kjo s’ka lidhje fare me shtetin.”, shtoi ai.
/abcnews.al/


