Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje në nder të efektivit të vrarë në Maliq, Enea Mekolli.
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi se Mekolli është shpallur Dëshmor i Atdheut, dhe përulet para sakrificës së tij.
“Gjatë një operacioni të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i ishte fshehur forcave të policisë në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte mundur t’u shpëtonte rrethimeve, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga nga policia.Rëndësia e detyrës që mban uniforma e policisë duhet ta bëjë shoqërinë të reflektojë ndaj respektit për punonjësit e policisë. Policia i shërben dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve. Policia e Shtetit ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj.
Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit; kush ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit ka ngritur dorë kundër shtetit. Qëndrojmë sot me respekt dhe mirënjohje para sakrificës së dëshmorit të atdheut Enea Mekolli. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe po ashtu urojmë për shërim sa më të shpejtë për efektivin e plagosur. Drejtësia duhet të veprojë me forcë dhe dënim maksimal ndaj autorit, ndërsa mirënjohja dhe respekti ynë shkon për Policinë e Shtetit që përballet me rrezikun në shërbim të qytetarëve”, tha Balla./abcnews.al


