Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trafikonin armë nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe/ GJKKO jep vendimin për katër të akuzuarit

schedule16:58 - 3 Qershor, 2026

schedule 16:58 - 3 Qershor, 2026

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për katër të pandehurit e akuzuar për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në kuadër të një skeme që synonte trafikimin e armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Adulla Hoxhaj u shpall fajtor për veprat penale të “Trafikimit të armëve dhe municionit”, mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për akuza të tjera që lidhen me mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve. Në bashkim të dënimeve, ai u dënua me 13 vite burgim, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 vjet e 8 muaj burg.

Gjykata dënoi gjithashtu Admir Tutajn dhe Bojken Turtullin me nga 12 vite burgim secilin. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tyre u ul në 8 vite burg.



Ndërkohë, Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, pasi sipas gjykatës nuk u provua se ai kishte kryer veprat për të cilat akuzohej. GJKKO urdhëroi gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Sipas dosjes së hetimit, nga analizimi i fakteve dhe rrethanave është provuar se Adulla Hoxhaj ka qenë drejtues i nëngrupit që vepronte në territorin e Shqipërisë, duke koordinuar aktivitetin me anëtarët e tjerë të grupit në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj, sipas konkluzioneve të hetimit, kanë pasur rol ndihmës në këtë aktivitet kriminal, megjithatë për Avdiajn gjykata vlerësoi se provat nuk mjaftonin për të provuar përgjegjësinë penale.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!