Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, ka analizuar zhvillimet e fundit në konfliktet moderne, duke u ndalur te përdorimi masiv i dronëve dhe vështirësitë që ato krijojnë për sistemet e mbrojtjes ajrore.
Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi theksoi se neutralizimi i dronëve mbetet një sfidë e madhe për çdo vend, për shkak të numrit të lartë dhe hapësirave të mëdha ku ato operojnë.
“Problemi me dronët është se është e vështirë t’i kapësh, Rasti në Ukrainë që godet Rusinë tregon se sa e vështirë është që të kapen dronë të tillë. Nëse Rusia nuk i kap dot dronët Ukrainës vendet e tjera vështirë se mund ta bëjnë sepse nuk e njohin një luftë të tillë. Aq më tepër që hapësirat janë goxha të mëdha. Pra është e pamundur të kapet 100 %. Rusia me droën Ukrainës e ka të vështirë të kapi, pra bëhet fjalë për qindra dronë. E njëjta gjë po ndodh me dronë të Hezbollah dhe të Izraelit. Ky është problemi në përgjithësi i të gjithë vendeve që përballen me një luftë të tillë. Mendo sa e vështirë mund të jetë nëse në Rumani do të shkonin 500 dronë në një natë?”, tha mes të tjerash ai.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Fatjon Softa theksoi nevojën për një ndryshim të konceptit të sigurisë në Europë, duke argumentuar se teknologjitë aktuale të mbrojtjes nuk janë gjithmonë efikase përballë dronëve me kosto të ulët.
“Ndryshimi i konceptit të sigurisë duhet të vijë. Nuk mund të përdorësh avionë të shtrenjtë për të rrëzuar dronë të lirë. Europa duhet të investojë në teknologjinë e dronëve, siç po bën Ukraina”, deklaroi Softa.
Sipas ekspertëve, zhvillimet e fundit tregojnë se lufta moderne po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt teknologjive pa pilot, duke detyruar shtetet të rishikojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes.
/abcnews.al/


